Njohuri

Lançimi i rezultateve të sondazhit “Shpreh mendimin tënd – Hapat e para në tregun e punës”

Njoftim për Shtyp

Deloitte Albania publikoi të dhënat e sondazhit “Hapat e Parë në Tregun e Punës” të kryer me  studentët dhe të diplomuarit në universitetet publike dhe private më në zë të vendit , më 11 Nëntor 2015 në ambientet e Qendrës Rinore të Tiranës. 

Ky sondazh organizohet çdo dy vjet nga Deloitte në vendet e Europës Qendrore dhe ka në fokus të rinjtë e këtyre vendeve, liderë dhe ekspertë të fushave të caktuara të së ardhmes dhe synon t’u bëjë me dije punëdhënësve, politikëbërësve dhe institucioneve akademike të vendit, aspiratat e një pjesë të brezit të ri, të quajtur “Gjenerata Y”.

Me rastin e lançimit të gjetjeve të këtij sondazhi, për të nxitur diskutime në lidhje me këtë çështje Deloitte Albania organizoi edhe një panel diskutimi me pjesëmarrjen e Z. Blendi Klosi, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë, Znj. Lindita Nikolla Ministres së Arsimit, Z. Ervin Demo Zv. Rektor i Universitetit të Tiranës dhe Z. Maksim Caslli Partner Drejtues i Deloitte Albania dhe Kosova. 

Numri i studentëve dhe i të diplomuarve, të cilët plotësuan pyetësorin arriti në 259. Vrojtimi dhe pyetësori u ofruan online përgjatë periudhës Prill –Qershor 2015 dhe pjesëmarrja në të ishte e konceptuar në baza vullnetare.  

Pyetjet tona në këtë vrojtim mbulojnë disa fusha, si përvojat dhe kompetencat, pritshmëritë mbi pagën,  sjelljen ndaj lidershipit, mendimet mbi ekuilibrin mes punës dhe jetës, perceptimin mbi cilësinë e përgatitjes akademike e shumë e shumë të tjera.

Raporti shkon deri nën lëkurën e udhëheqësve të ardhshëm,  të atyre të rinjve të talentuar dhe ambiciozë, arritjet akademike të të cilëve tregojnë se ata janë në rrugën e duhur për të patur një karrierë të suksesshme.

Shkarkoni Raportin Final

Disa nga të dhënat kryesore të sondazhit janë si më poshtë:

Lidershipi

Lideri preferohet të ketë një stil demokratik dhe të jetë i orientuar në vendime afatgjata që do t’i sjellin përfitime afatgjata kompanisë, të cilat rrjedhimisht do të ndihmonin në një zhvillim profesional më cilesor. Stili autokratik është më pak i preferuar. Përgjithësisht, mosha dhe gjinia nuk janë element përcaktues në perceptimin e një lideri. Puna në një mjedis heterogjen në terma të gjinisë, kombësisë etj., shihet si një avantazh nga të rinjtë tanë.

Qëndrimi ndaj punës dhe shpërblimit

Vlerat kryesore për këtë brez të ri janë familja e lumtur dhe shëndeti i mirë. Puna shihet si një mundësi zhvillimi dhe rritjeje profesionale, më tepër se sa si një detyrim i pakëndshëm. Duket se të rinjtë në mënyrë universale e vlerësojnë veten më shumë në aftësinë për të punuar në grup, për të mësuar gjëra të reja si dhe aftësitë komunikuese, elementë këta kyç për individë të orientuar drejt rezultateve. Arritja e këtyre qëllimeve përmbledh atë çfarë ky brez duhet të synojë në tërësi, “afirmimin në shoqëri” si në aspektin social ashtu edhe në atë profesional. Një punë që mundëson këtë afirmim do të ishte shumë motivuese si për shembull kryerja e një pune që është e rëndësishme për interesat dhe objektivat afatgjatë të kompanisë, duke i dhënë kështu kuptim edhe punës së përditshme.

Në të kundërt, ajo që i demotivon më shumë të rinjtë shqiptarë dhe i shtyn drejt kërkimit të një punëdhënësi tjetër rezultoi të ishte mosvlerësimi i punës së tyre. Kjo thekson sërish nevojën e tyre për afirmim jo vetëm si individë, por edhe si kontribues në punën e tyre.  

Ka një perceptim pesimist të situatës ekonomike në vend dhe të tregut të punës. Koha e nevojshme për të gjetur një punë mendohet të jetë nga 3 deri në 6 muaj. Hendeku gjinor në pagesë vërehet edhe në këtë sondazh. Meshkujt kanë një vlerësim më të lartë të vetes për sa i përket shpërblimit monetar.

Vlerësimi i talenteve dhe aftësive sipërmarrëse

Të rinjtë shqiptarë janë të gatshëm të lëvizin nga vendbanimi i tyre për punë. Ndërkohë që perceptimi i situatës ekonomike nuk mbetet i vetmi faktor nxitës. Nga analiza rezulton se përsosja e aftësive për punë dhe thellimi në studim akademik perceptohet të jetë në nivele më të kënaqshme jashtë vendit. Kështu, punësimi jashtë shihet edhe si një mundësi për të financuar studimet pasuniversitare apo profesionale.

Shqipëria dhe Kosova renditen të parat për sa i përket perceptimit të të rinjve në aftësitë për të ndërmarrë një biznes dhe për të qenë me iniciativë në këtë drejtim. Megjithatë, rezultoi se ka edhe një hendek midis vetëvlerësimit të lartë të aftësive për sipërmarrje dhe gatishmërisë për të të ndërmarrë iniciativa sipërmarrëse.

Vetëbesimi dhe vlerësimi i nivelit të kompetencave

Perceptimet e këtij brezi të parashtruara nga rezultatet e këtij vrojtimi shfaqin qartë nevojën për aksion dhe strategji të mirëkoordinuar. Punëdhënësit tanë duhet të përgatiten për të përmbushur pritshmëritë e këtyre të rinjve shqiptarë të edukuar, të shkathët, me vetëbesim të lartë në aftësitë e tyre sipërmarrëse, por të pashfrytëzuar në potencialin e tyre më të lartë. Dukshëm, qeverisja e kompanive dhe mënyra se si adresohen planet e zhvillimit të punonjësve të rinj dhe kapitalit njerëzor në tërësi, janë faktor kyç që duhet të adresohen nga punëdhënësit si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Në të kundërt ata rrezikojnë të humbasin talentet, e rrjedhimisht aftësinë konkurruese ndaj rivalëve të tyre, të cilët mund t’i përgjigjen këtyre pritshmërive më shpejt dhe pozitivisht.

Hendeku në arsim

Në nivel akademik, ky brez është gjithmonë e më kërkues dhe tepër realist në kërkesat e veta. Ata kërkojnë përgatitje dhe zhvillim në aftësi të cilat i barazojnë me konkurentët e tregut pa kufij. Perceptimi i këtij brezi mbi përgatitjen e tyre akademike, thekson nevojën jetësore të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet universiteteve dhe punëdhënësve që institucionet tona akademike të jenë sa më shumë mbështetëse ndaj zhvillimit të ekonomisë dhe biznesit në vend.

Për më shumë informacion në lidhje me të dhënat e sondazhit, kontaktoni me:

Ina Buli
Marketing Manager | Clients & Markets
Deloitte Albania Sh.p.k
Direct: +355 4 45 17 934
ibuli@deloittece.com | www.deloitte.com/al

 

Did you find this useful?