Article

Zgjidhet ngërçi i radhës së preferimit

Intervistë në revistën Monitor nga Sabina Lalaj, drejtuese e Departamentit Ligjor, Deloitte Albania  

Si ndikon te projektligji i ri radha e preferencës të përcaktuar në nenin 605 të Kodit Civil?

Projektligji “Për falimentimin” synon të caktojë rregulla të detyrueshme, të njëjta dhe të barabarta, si dhe të lehtësojë zgjidhjen dhe shlyerjen e detyrimeve të debitorit brenda dhe/ose jashtë procedurës së falimentimit. Ndër të tjera, ky projektligj parashikon një renditje të kreditorëve të preferuar, renditje kjo që respektohet në një procedurë falimentimi.

Projektligji i mëparshëm përcaktonte, në nenin 146 të tij, shpërndarjen e pasurisë sipas radhës së preferimit, duke përcaktuar një radhë të ndryshme nga ajo e parashikuar në nenin 605 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë. Kjo bazuar në argumentimin se radha e preferimit e sipas nenit 605 të Kodit Civil nuk është e përshtatshme për t'u përdorur në kontekstin modern të falimentimit.

Pra, dy dispozita të ndryshme rregullonin radhën e preferimit të kreditorëve. Mospërputhja e normave u bë objekt diskutimi në grupin hartues të projektligjit, i cili sugjeroi edhe zgjidhjen përkatëse.

Për të shmangur përplasjen e këtyre dy normave, si dhe për të mos lënë vend për interpretime gjatë zbatimit në praktikë të ligjit të ri të falimentimit, propozohet që në nenin 605 të Kodit Civil të shtohet një paragraf që përcakton: “Radha e preferimit e parashikuar në këtë nen, nuk zbatohet në procedurën e falimentimit, parashikuar me ligj të veçantë.”

Një parashikim i ngjashëm shtohet edhe në fund të nenit 607 të Kodit Civil, duke sanksionuar: “Ky nen nuk zbatohet në procedurën e falimentimit, parashikuar me ligj të veçantë.”

Po përfshirja e institucionit të prokurorisë...

Siç e kemi përmendur më parë, një nga arsyet kryesore të moszbatimit të ligjit të falimentimit deri më sot ka qenë paaftësia paguese e subjekteve në falimentim. Pra, pamjaftueshmëria e masës së falimentit, e cila nuk mundësonte mbulimin e shpenzimeve të procedurës së falimentimit.

Projektligji i mëparshëm propozonte si zgjidhje krijimin e një fondi publik të posaçëm, i cili sipas përkufizimit të dhënë do të administrohej nga Agjencia Kombëtare e Falimentimit. Ky fond i posaçëm publik do të përdoret për mbulimin e shpenzimeve të procedurës në rastet kur masa e falimentimit është e pamjaftueshme. Fondi i posaçëm publik do të krijohej përmes kontributeve nga buxheti i shtetit, nga detyrimet financiare të debitorëve që likuidohen, si dhe nga burime të tjera që do të përcaktoheshin me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Projektligji aktual nuk e përfshin më këtë zgjidhje, e cila synonte shmangien e pushimit të procedurës së falimentimit në rastet kur nuk mundësohet mbulimi i shpenzimeve.

Sipas nenit 20 të projektligjit, në rastet kur masa e falimentimit nuk ka pasuri të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e procedurës së falimentimit, Gjykata e Falimentimit vendos për mbylljen e procedurës për shkak të mungesës së pasurive, duke kryer paraprakisht disa konfirmime shtesë.

Gjykata e Falimentimit informon kreditorët dhe bën shpallje publike të situatës. Kreditorët dhe palët e tjera të interesuara kanë të drejtë që brenda 60 ditëve nga ky njoftim të paraqiten në Gjykatën e Falimentimit dhe të kundërshtojnë mbylljen e procedurës për shkak të mungesës së pasurive, nëse debitori ka pasuri ose nëse hetimi i mëtejshëm është i nevojshëm në lidhje me pasuritë që debitori ka transferuar dhe që mund të jetë subjekt i veprimit të shmangies.

Pretendimet e palëve, të cilat shfaqin arsye të bazuara për nevojën e kryerjes së hetimeve të mëtejshme mbi veprimet e debitorit, Gjykata e Falimentimit ia komunikon prokurorit brenda 5 ditëve dhe pezullon procedurën për 6 muaj për qëllime të kryerjes së hetimit.

Gjykata e Falimentimit vendos mbylljen e procedurës për shkak të mungesës së pasurive nëse:

a) nuk ka pasur kundërshtime për mbylljen e procedurës nga palët që mund të kundërshtojnë, pas kalimit të afatit 60-ditor;

b) prokurori vendos mosfillimin ose pushimin e çështjes penale;

c) kanë kaluar 6 muaj nga komunikimi që gjykata i bën prokurorit për pezullimin e procedurës.

Është e vështirë të vlerësohet nëse përfshirja e institucionit të prokurorisë do të ketë ndikim pozitiv në zbatimin e ligjit dhe ekzekutimin e procedurave të falimentimit, duke bërë një ndryshim nga situata që ka krijuar ligji aktual.

Çfarë mund të themi për rolin që do të ketë administratori i falimentit?

Projektligji përmban rregullime shtesë për administratorin e falimentit. Në projektligj parashikohen tri lloje administratorësh: i falimentit, administratori i përkohshëm i falimentimit dhe administratori mbikëqyrës, të cilët kanë të njëjtin status dhe të njëjtat kritere përzgjedhëse, por që marrin rolet sipas momentit kohor kur veprojnë, apo specifikave të rolit që përmbushin.

Administrator i falimentimit, administratori mbikëqyrës ose administratori i përkohshëm mund të caktohet shtetasi shqiptar, i cili zotëron një diplomë të nivelit “Master” në shkencat ekonomike ose drejtësi, me të paktën pesë vite përvojë pune në këto fusha dhe që është i licencuar nga Agjencia Kombëtare e Falimentimit.

Rregullat e hollësishme lidhur me pagën, kushtet dhe kriteret e përcaktimit të masës së shpërblimit dhe të rimbursimit të shpenzimeve të administratorit të falimentimit, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Licencimi i administratorëve është kompetencë e Agjencisë Kombëtare të Falimentimit.    

Po për biznesin, cili do të jetë ndikimi?

Propozimi për shfuqizimin e nenit 104 të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, sipas të cilit, midis të tjerash, administrata tatimore kërkon në gjykatë fillimin e procedurës së falimentimit për tatimpaguesit, shoqëri tregtare që deklarojnë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht, vazhdon të jetë i parashikuar dhe në projektligjin e ndryshuar. Synim i këtij propozimi është shmangia e përfshirjes në procedurat e falimentimit të subjekteve tregtare që, për arsye të llojit të veprimtarisë që kryejnë, nuk mund të gjenerojnë fitime në vitet e para.

Paaftësia paguese

Sipas nenit 20 të projektligjit, në rastet kur masa e falimentimit nuk ka pasuri të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e procedurës së falimentimit, Gjykata e Falimentimit vendos për mbylljen e procedurës për shkak të mungesës së pasurive, duke kryer paraprakisht disa konfirmime shtesë

Did you find this useful?