News

Ligji “Për produktet kozmetike” 

nga Ened Topi & Aidi Milo

Produktet kozmetike, kushte më të forta në ligjin e ri

Në kohën kur tregtimi i produkteve kozmetike është rritur ndjeshëm, miratimi i një ligji që do të rregullojë jo vetëm prodhimin, po edhe shpërndarjen, dhe vendosjen  në treg te këtyre produkteve është një risi e shumëpritur.  Ligji i ri “Për produktet kozmetike” përbën përpjekjen e parë në hartimin e një akti ligjor të posaçëm për rregullimin e këtij tregu.

Ligji i ri nr. 26/2017 date 16.03.2017 “Për produktet kozmetike” përcakton kërkesat që duhet të përmbushë çdo produkt kozmetik i vendosur në treg me qëllim mbrojtjen e shëndetit të përdoruesve dhe garantimin e funksionimit të tregut të brendshëm. Ne kuadër të hapave që po ndërmerren në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ky ligj është përafruar pjesërisht  me rregulloren nr.1223/2009/CE, datë 30.11.2009, “Për produktet kozmetike”.

Ligji i ri do e zbatohet për te gjithë produktet kozmetike, të prodhuara në mënyrë industriale, të vendosura në tregun shqiptar duke përfshirë çdo substancë ose përzierje, e destinuar për t’u vendosur në kontakt me pjesët e jashtme të trupit të njeriut dhe jo vetëm.

Çdo produkt kozmetik, i vendosur në treg, duhet të jetë i sigurt për shëndetin e njerëzve, nëse përdoret në kushte normale, duke marrë parasysh veçanërisht:

a) paraqitjen e jashtme, që, në çdo rast, duhet të jetë qartësisht e dallueshme nga paraqitja e jashtme e produkteve ushqimore;

b) etiketimin;

c) udhëzimet për përdorim;

d) çdo tregues apo informacion tjetër të siguruar nga personi përgjegjës.

Ligji i ri prezanton konceptin e “personit përgjegjës” ku vendosja e produkteve kozmetike në treg lejohet vetëm për produktet kozmetike, për të cilat është përcaktuar një person përgjegjës, sipas rastit i identifikuar si prodhuesi vendas, importuesi apo shpërndarësi, i regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, i cili siguron përmbushjen e detyrimeve të parashikuara në ligj.

Sipas ligjit te ri, përpara vendosjes në treg të produktit te ri, personi përgjegjës njofton ministrinë përgjegjëse në lidhje me kategorinë e produktit kozmetik dhe emërtimin specifik, emri, të dhënat e kontaktit të personit përgjegjës, vendin e origjinës në rast importi, praninë e substancave nanomateriale, etj.

Ligji i ri parashikon udhëzime të qarta në lidhje me etiketimin e produktit dhe informacionin që përmbahet në të, si vendi i origjinës, përmbajtjen, afatet e konsumimit, etj. Është e detyrueshme që informacionet në etiketën e produktit kozmetik të jenë të paraqitura në gjuhën shqipe. Ligji synon të krijojë të gjithë mundësitë qytetarit për të pasur qasje në informacionin mbi produktin, përbërjen, etj., (pa cenuar sekretin tregtar) duke parashikuar detyrimet për personin përgjegjës për të bërë të mundur dhënien e këtij informacioni.

Sanksionet qe do të zbatohen në rastin e kundërvajtjeve administrative për shkeljen/moszbatimin e dispozitave te këtij ligji të cilat variojnë nga 100 000 Lek për rastet e mos kryerjes së detyrave përkatëse nga personi përgjegjës, shpërndarësi, etj., e deri në 1 000 000 Lek për rastet e mos njoftimit të ministrisë në lidhje me produktin kozmetik për tu vendosur ne treg, vendosjen ne treg e produkteve kozmetike që përmbajnë substanca te ndaluara, etj.

Ligji i ri është botuar ne Fletoren Zyrtare nr. 75, date 12.04.2017 dhe do të hyje në fuqi më 12.04.2018. Inspektorati, që mbulon fushën e shëndetësisë, është struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe kontrollin e zbatueshmërisë së këtij ligji dhe akteve ligjore, që pritet të dalin në zbatim të tij.

botuar në gazetën TemA.

Did you find this useful?