Transferimi i Cmimit

Article

Sfidat e transferimit të çmimit

Olindo Shehu, Partner i Taksave dhe Çështjeve Ligjore, Deloitte Albania dhe Kosova

Zhvillimet e shpejta të teknologjisë, transportit dhe komunikimit kanë shkaktuar rritje të numrit të kompanive ndërkombëtare që kanë fleksibilitetin për të organizuar sipërmarrjen dhe aktivitetin kudo nëpër botë. Tashmë një volum domethënës i tregtisë globale konsiston në transferimin ndërkombëtar të të mirave dhe shërbimeve, kapitalit dhe aktiveve jomateriale, (si p.sh pronësia intelektuale) brenda grupit. Ka fakte që dëshmojnë se transaksionet brenda grupit po rriten në mënyrë të qendrueshme dhe tashmë arrijnë në afro 30 % të transaksioneve ndërkombëtare.  Që do të thotë se një numër i madh i transaksioneve ndërkombëtare nuk qeveriset më tërësisht nga forcat e tregut, por edhe nga forcat që nxisin interesat e përbashkëta të entiteteve brenda të njëjtit grup. 

 

Ky trend ndërkombëtar ka pasur ndikimin e vet edhe në Shqipëri. Gjatë viteve të fundit është vënë re një rritje e konsiderueshme pagesash prej kompanive shqiptare kundrejt kompanive të huaja brenda kornizave të shërbimeve menaxheriale, teknike etj. Një situatë e tillë është theksuar sidomos në kushtet e krizës globale. Për arsye të boshllëqeve ligjore, as administrata tatimore në Shqipëri dhe as kompanitë lokale nuk kanë mundur të “sfidojnë” faturimet e marra nga grupi në rastin kur këto faturime mund të kenë qenë edhe të mbingarkuara apo jashtë çmimeve të tregut. Përcaktimi i çmimit të duhur që quhet “çmimi i transferueshëm” për transferimin e produkteve apo shërbimeve mes palëve të lidhura brenda grupit është detyrimi ligjor që ka munguar në Shqipëri e që adreson këtë problematikë. 

 

Mbetet e rëndësishme të theksohet se transferimi i çmimit në vetvete nuk përfshin me domosdoshmëri shmangien nga taksat. Transaksione ndërkombëtare, të cilat prekin shtete të ndryshme me ekonomi të ndryshme dhe norma tregu jo gjithmonë fort të ngjashme e bëjnë konceptin e transferimit të çmimit në bazë të “vlerës së tregut” shumë herë më të vështirë se në rastin kur këto transferta ndodhin brenda të njëjtit shtet. Pra edhe pse shmangia e taksave mund të mos jetë abosolutisht qëllimi i çmimeve të vendosura për produkte apo shërbime të ofruara nga kompani rezidente në shtete të zhvilluara (psh. Gjermani, Austri, etj.), duke marrë parasysh kushtet e tregut në Shqiperi këto çmime mund të duken të ekzagjeruara dhe të japin përshtypjen e një mbingarkese artificiale, kur në realitet janë çmime të bazuara në një treg që është ndryshe nga ai i Shqipërisë.  

 

Siç mund të vihet re, Transferimi i Çmimit mbetet një nga legjislacionet më të sofistikuar të taksave në nivel ndërkombëtar. Metodat e Transferimit të Çmimit janë të ndërlikuara dhe përfshijnë impenjimin e ekspertizës më të kualifikuar fiskale, ligjore dhe ekonomike. 

 

Përveç ekspertizës, që duhet të jetë e shkallës më të lartë si nga ana e administratës tatimore ashtu edhe nga ana e tatimpaguesve apo konsulentëve të tyre, një ndër çështjet më sfiduese do të jetë identifikimi i çmimit të tregut për transaksionet që do të aplikohen në marrëdhëniet me grupin nga ana e degëve dhe filialeve përkatëse në Shqipëri. Tatimpaguesit duhet të jenë në gjendje të identifikojnë evidenca që faktojnë se këto çmime janë në nivelin e tregut dhe anasjelltas për administratën tatimore. Një gjë e tillë mund të jetë e thjeshtë në rastin e çmimeve të kuotuara, por në rastet kur mungon informacioni publik në dispozicion të tatimpaguesve dhe institucioneve tatimore, (si për shembull në rastin e produkteve apo shërbimeve të specializuara), apo në rastin e shërbimeve të konsulencës evidentimi nëse këto çmime janë me vlerë tregu bëhet akoma më i vështirë.

 

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, legjislacioni i parë në lidhje me Transferimin e Çmimit targetoi industritë farmaceutike dhe ato hidrokarbure. Por sot, në rang botëror disa prej transaksioneve më të mëdha midis shteteve janë midis degëve të ndryshme të bankave ndërkombëtare dhe kompanive të sigurimit. Edhe pse industria financiare ka specifikat e veta, për qëllime të dispozitave të Transferimit të Çmimit, ndryshimet nuk janë të mëdha. Faturimet për shërbimet menaxheriale që bën një kompani mëmë ndaj kompanisë bijë në sektorin prodhues, në parim ndjekin të njëjtin koncept që ndiqet në sektorin financiar. Për rrjedhojë, edhe metodologjia e ndjekur në bazë të rregullores së OECD-së është mëse e aplikueshme edhe në rastin e bankave apo të kompanive të sigurimit.

 

Megjithatë, ka disa transaksione të cilat janë unike në industrinë financiare që kërkojnë një aplikim më të specializuar të legjslacionit të transferimit të çmimit.  Instrumente financiarë,  të cilët dalin jashtë atyre tradicionale (derivativet), risigurimet dhe te tjera transaksione, të cilat janë të bazuara në riskun që merr secila palë e transaksionit bëhen tepër të vështira për t’u vlerësuar në bazë të metodave tradicionale të transferimit të çmimit. Kjo sepse është e vështirë të bëhet një vlerësim i kostos që ka secili risk që merret nga palët.  Si rrjedhojë,  metodat e transferimit të çmimit bazuar në kosto bëhen shumë të vështira për t’u aplikuar në transaksione, që si bazë kryesore kontraktuale kanë transferimin e riskut. Ekzistojnë metoda alternative që janë edhe më të komplikuara dhe që bazohen në ndarjen e fitimeve midis palëve në një transaksion (profit split method ose transactional net margin method) por aplikimi i këtyre metodave kërkon udhëzime të specializuara për të arritur në rezultate relativisht të pranueshme për tatimpaguesit, por edhe për administratën tatimore.

Në tregun aktual në Shqipëri, e në sektorin financiar në veçanti, transaksionet me palë të lidhura përbëhen më së shumti nga shërbimet menaxheriale, zhvillime software, alokim kostosh dhe konsulenca të ndryshme. Në rastet kur transaksionet janë më të komplikuara, atëherë do të nevojitet angazhim më i plotë nga të gjithë “aktorët” (institucione financiare, administratë tatimore dhe/ose konsulentë të jashtëm ekspertë në transferimin e çmimit) për të arritur në metoda aplikimi që do të na nevojiten edhe në të ardhmen.  

Zbatimi korrekt i këtij legjislacioni gjatë hapave të tij të parë do të jetë me shumë rëndësi për të hedhur baza të shëndosha për të ardhmen. Dispozitat e Transferimit të Çmimit, në rast se zbatohen në mënyrë korrekte i japin degëve dhe filialeve lokale instrumente, me anë të të cilave ato mund të negociojnë më mirë me grupin, madje mund të luftojnë për të shmangur mbifaturimet dhe për të ruajtur në këtë mënyrë normat e tyre të fitimit. Në këtë kontekst degët mund të fuqizojnë pozitat e tyre në grup në krahasim me kohën përpara zbatimit të këtij ligji. Në të njëjtën kohë, administrata tatimore mund të mbrojë performancën e vendit duke luftuar mbifaturime të mundshme nga kompani jo-rezidente. 

Did you find this useful?