Diversity in Albania

Njoftime për shtyp

Sondazhi i Deloitte Albania

Gratë po fitojnë terren në sipërmarrje

Sondazhi me pjesëmarrës mbi 200 drejtues të lartë të biznesit në vend zbulon rolin e gruas në drejtimin e sipërmarrjeve në vend, sfidat, si dhe çështje të lidershipit të biznesit

Deloitte Albania përmes kësaj nisme synon të ndërgjegjësojë sa më shumë biznese për rolin thelbësor të grave në sipërmarrje dhe nevojën për inkurajim të diversitetit gjinor në nivelet më të larta të menaxhimit në Shqipëri

Deloitte Albania publikoi të dhënat e sondazhit të kryer me drejtues të bizneseve më të njohur në vend në lidhje me pozicionin e gruas në biznes në role drejtuese dhe çështje të tjera të lidershipit, pikat e forta në drejtim, të burrave dhe grave, kuotat në biznes e të tjerë.

Me rastin e lançimit të gjetjeve të këtij sondazhi, për të nxitur diskutime në lidhje me këtë çështje Deloitte Albania organizoi edhe një panel diskutimi me pjesëmarrjen e Z. Erion Veliaj, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Znj. Tahseen Sayed, Drejtoreshë për Shqipërinë në Zyrën e Bankën Botërore, Z. Maksim Caslli Partner Drejtues i Deloitte Albania dhe Kosova, Znj. Luljeta Minxhozi, Drejtoreshë e Programit Master në Universitetin Europian të Tiranës, Znj. Alma Varfi Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore të Vodafone Albania.

“Me kalimin e viteve kemi një ndryshim të kulturës dhe këndvështrimit ndaj rolit të gruas në shoqëri, si dhe një përfshirje më të madhe të grave në sipërmarrje. Ato janë tashmë po aq të suksesshme sa edhe burrat.” – tha Maksim Caslli, Partneri Drejtues i Deloitte Albania dhe Kosova gjatë këtij paneli.

Disa nga të dhënat kryesore të sondazhit janë si më poshtë:
 

Sipërmarrja dhe Lidershipi në mjedisin shqiptar

Lidershipi në biznes

Sipas raportit, 66.4 % e të pyeturve i perceptojnë gratë në pozicionet drejtuese si tepër profesioniste, 40% besojnë se gratë kanë aftësi të mira analitike, 40.5 % mendojnë se ndershmëria është karakteristika kryesore e grave. Gratë janë gjithashtu më të qëndrueshme (31.3%) dhe më të angazhuara (36.1%). Gjithsesi, gratë në krye të sipërmarrjeve shqiptare janë të prirura të arrijnë rezultate më pak të mira në fushën e vendimmarrjes (13.6 %) dhe vetëbesimit (23.6%). Vetëm një e treta e të pyeturve i konsiderojnë gratë me aftësi të larta lidershipi.

Sipas sondazhit, 62.4 % e të pyeturve përzgjodhën aftësitë për lidership si cilësinë më të rëndësishme të burrave në pozicione drejtuese. Burrat në poste ekzekutive perceptohen si liderë me vetëbesim shumë të fortë (50.8%), komoditet në marrjen e vendimeve (60.1%), si dhe efektiv në bisedime (37.7%). Burrat në pozicione ekzekutive gjatë hulumtimit kanë marrë më pak vlerësim për ndershmërinë (4.2%), për aftësitë komunikuese (17.9%) dhe për sjelljen e risive (12.9 %).

Pikat e forta në sipërmarrje

Hulumtumi i Deloitte i portretizon gratë si mjaft të tërhequra nga investimi i vazhdueshëm te vetja e tyre kur bëhet fjalë për dije dhe mprehtësi profesionale. 47% e të pyeturve u shprehën se gratë përftojnë rezultate më të mira në zhvillimin e tyre personal dhe në përftimin e aftësive të reja. Kjo pasqyrohet gjithashtu edhe në përparimin profesional të tyre, kur 36% e tyre thonë se gratë arrijnë një performancë më të mirë. Hulumtimi pranon qartësisht se gratë kanë dhuntinë e veçantë që bën dhe ndryshimin e njëmendët në vendin e punës. Bëhet fjalë për të qënit më të suksesshme se burrat në mbajtjen e një ekuilibri të shëndetshëm të jetës në punë. 62% e drejtuesve pranojnë se gratë kanë rezultate më të mira se burrat në përftimin e një drejtpeshimi, ekuilibri të drejtë punë-jetë.

Pyetjes se kur krahasojnë burrat dhe gratë në sipërmarrje dhe se kush përfton rezultate më të mira, 47 % e të pyeturve në këtë hulumtim u shprehën se burrat marrin rezultate më të mira kur përballen me sfidat e sipërmarrjes. Ata janë më efiçentë në vendimmarrjen nën stres (46%) dhe janë më të aftë në betejën për pozicionimin e kompanisë në kushte konkuruese (41%). Sipas sondazhit, ndryshimi mes burrave dhe grave ngushtohet kur vjen puna në përftimin e rezultateve financiare, të tilla si shitjet dhe fitimet si dhe zbatimi i zhvillimit strategjik.

Hendeku i pagesës dhe sfida të tjera

27% e të pyeturve thonë se gratë në pozicione ekzekutive shumë shpesh janë më pak të paguara se burrat, ndërkohë që 64% e konsiderojnë këtë si një dukuri që mund të ndodhë. 67% e të pyeturve pranojnë se ka më shumë gjasa që gratë të jenë më të rrezikuara në rrethana të shkurtimit të personelit. Ngritja në detyrë brenda organizatës së sipërmarrjes është një tjetër sfidë për gratë në vendin e punës, kur 19 % mendojnë se gratë ngrihen shumë rrallë në detyrë.

Konsensus për kuotat në biznes

Kur u bë pyetja nëse duhet të fillojë apo jo Shqipëria hapat ligjorë për kuata në sipërmarrje, 48 % u përgjigjën “padyshim që po”, duhet përcaktuar një rregullore e ngjashme me disa vende të Europës Perëndimore që vendosin një numër të caktuar pjesëmarrjeje të grave në bordet e kompanive. Ky konsensus i gjerë është i rëndësishëm për të treguar vullnetin e mirë në inkurajimin e forcimit të pozitave të gruas dhe rritjen e diversitetit në sipërmarrjen shqiptare.

Është e qartë, nga hulumtimi i Deloitte, si dhe nga studime të tjera, se gratë dhe burrat kanë stile menaxhimi përplotësuese. Zgjidhja më e mirë, jo vetëm për sipërmarrjen, por edhe për gjithë shoqërinë, do të ishte përmirësimi i diversitetit dhe kontributi nga të dy gjinitë, bazuar në talent dhe meritokraci.  

“Deloitte Albania përmes kësaj nisme synon të ndërgjegjësojë sa më shumë biznese për rolin thelbësor të grave në sipërmarrje dhe nevojën për inkurajim të diversitetit gjinor në nivelet më të larta të menaxhimit.” – deklaroi Maksim Caslli, Partneri Drejtues i Deloitte Albania dhe Kosova.

207 ekzekutivë të nivelit-C (CEO, CFO) morën pjesë në këtë sondazh. Këta drejtues janë aktivë në kompani lokale dhe shumëkombëshe në vend. Hulumtimi u krye në dy faza; e para ishte një pyetësor online dhe e dyta e përqendruar në intervista individuale me drejtuesit e niveleve më të larta. Drejtuesit që u ftuan të merrnin pjesë në këtë hulumtim u përzgjodhën nga një listë e afro 500 kompanive më të mëdha në treg.

Did you find this useful?