Trendet e Kapitalit Njerëzor 2020

Ndërmarrja sociale në veprim: Paradoksi si një formë zhvillimi

Tregjet e punës po ndryshojnë vazhdimisht në mënyrë eksponenciale. Si disa nga faktorët me kryesorë nxitës të këtij ndryshimi njihet ri-formatimi i përbërjes së forcës së punës, lufta për tërheqjen e talenteve, përparimet e shpejta teknologjike me Revolucionin 4.0 industrial1, rritja e eficencës nga pikëpamja e kostove dhe sigurisht ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve. Përparimet teknologjike janë duke ndikuar në mënyrë thelbësore rolet e punës, mënyrën si kryhet puna dhe ku, e për rrjedhojë edhe aftësitë që kërkohen.

 

Raporti i trendeve të Kapitalit Njerëzor për vitin 2020 lidhet ngushtë me rolin e ndërmarrjeve sociale, koncept i cili në rastin e Shqipërisë u prezantua për herë të parë në raportin e rezultateve të këtij vrojtimi mbi trendet e kapitalit njerëzor për vitin 2019 dhe ritheksohet në një nivel tjetër edhe në raportin e këtij viti. Ndërmarrja sociale është një organizatë, misioni i së cilës kombinon rritjen e të ardhurave dhe fitimit me kujdesin ndaj mjedisit të brendshëm dhe të jashtëm ku ajo operon. Titulli i raportit global të Trendeve të Kapitalit Njerëzor për 2020 është “Ndërmarrja sociale në veprim: Paradoksi si një formë zhvillimi. Fuqia e ndërmarrjes sociale qëndron në aftësinë e saj për të sjellë një fokus njerëzor në gjithçka që prek, duke i fuqizuar njerëzit që të punojnë në mënyrë produktive me teknologjinë për të krijuar vlera të qëndrueshme për veten, kompaninë dhe shoqërinë në përgjithësi.

 

Njerëzit dhe teknologjia janë dy elementë kyç të cilët ndikojnë sot në suksesin e një kompanie. Avancimet teknologjike me automatizimin e proceseve, robotikën, inteligjencën artificiale dhe konjitive/njohëse që solli Revolucioni 4.0 Industrial, janë shoqëruar edhe me skepticizmin dhe ankthin njerëzor mbi të ardhmen e punës ku teknologia zëvendëson njeriun. Megjithatë, sot po evidentohet se zhvillimi teknologjik në vendet e zhvilluara po rezulton në shtim të roleve të reja të punës se sa në automatizim dhe zëvendësim. Ndërkohë që punët e mërzitshme rutinë (punët e “dorës”) po zëvendësohen nga teknologjia, punët që kërkojnë aftësitë konjitive (njohëse) të njeriut dhe me sfiduese (punët e “mendjes”) po njohin rritje. Përveç kësaj, zhvillimi teknologjik duket se po rrit nevojën për role pune më ndërpersonale dhe krijuese të bazuara në aftësi specifikisht njerëzore si kreativiteti, shërbimi ndaj klientit, përkujdesja ndaj të tjerëve dhe bashkëpunimi.

 

Për të qenë një ndërmarrje sociale, tre janë atributet që një organizatë duhet të ketë:

  • Qëllimi: Një organizatë që jo vetëm e tregon qëllimin e saj, por e përfshin kuptimin dhe zbatimin e saj çdo ditë në çdo aspekt të punës;
  • Potenciali: Një organizatë që është krijuar dhe organizuar për të maksimizuar atë që njerëzit janë të aftë të mendojnë, krijojnë dhe bëjnë në një botë të automatizuar;
  • Perspektiva: Një organizatë që inkurajon dhe përqafon orientimin drejt të ardhmes, duke kërkuar jo vetëm se çfarë duhet optimizuar sot, por si të krijojë vlerë nesër.

 

_____

1 World Economic Forum, “The fourth industrial revolution: what it means and how to respond”, 2016

 

Did you find this useful?