Risitë e Kodit të Punës në forumin e DIHA-s dhe Deloitte me biznesin

DIHA Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri dhe Deloitte Albania, kompania më e madhe e konsulencës në vend organizuan një forum me biznese të huaja e vendase dhe ekspertë lidhur me ndryshimet më të fundit të Kodit të Punës. Të pranishmit i përshëndetën drejtues të DIHA-s, ambasadës gjermane, drejtues të Deloitte si dhe të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Ndryshimet në Kodin e Punës parashikojnë një sërë risish, që rikonfigurojnë ndjeshëm pozitën e punëmarrësit dhe detyrimet e punëdhënësit në vendin tonë. Vlejnë të përmenden mbrojtja e shëndetit, personalitetit dhe pozitës profesionale të punëmarrësit, barazisë gjinore, përmirësimi dhe zgjerimi i përkufizimit material të diskriminimit dhe, sidomos, parashikimet që detyrojnë punëdhënësin të krijojë kushte të përshtatshme të vendit përkatës të punës për personat me aftësi të kufizuar, gratë shtatzëna, etj; prezantimi i koncepteve të reja si ai i bashkëjetuesit, lejes prindërore, apo agjencisë së punësimit të përkohshëm.

Në emër të Deloitte Albania, paraqiti risitë në një prezantim të hollësishëm drejtuesja e Departamentit Ligjor të Deloitte Albania dhe Kosova Znj. Sabina Lalaj. Sipas saj ndryshimet ofrojë mbrojtje më të mirë të punëmarrësit lidhur me zgjidhjen e marrëdhënies së punës. Ndryshimet e Kodit të Punës përmbysin qëndrimin aktual lidhur me zgjidhjen e marrëdhënies së punës me kohëzgjatje të pacaktuar, duke kufizuar hapësirën dhe tolerancën e deritanishme që i rezervohej punëdhënësit sa i përket arsyetimit të zgjidhjes së kësaj marrëdhënie.” – tha Znj. Lalaj gjatë prezantimit. Në ndryshimet e fundit të Kodit të Punës, tashmë është përcaktuar një detyrim i shprehur për punëdhënësin për të parashtruar me shkrim arsyet e zgjidhjes së marrëdhënies së punës me kohëzgjatje të pacaktuar, të cilat lidhen me shkaqe të tilla si aftësia, sjellja e punëmarrësit ose kërkesat operacionale të ndërmarrjes.

“Risitë lidhur me lejen prindërore të përfshira në Kodin e Punës, do t’i konsideroja si një adresim logjik dhe human të nevojave të punëmarrësve në kuadër të detyrave prindërore dhe, më gjerë, familjare. Nga pikëpamja ligjore tashmë kjo e drejtë i takon çdo punëmarrësi, pavarësisht gjinisë, i cili ka më shumë se një vit pune të pandërprerë tek i njëjti punëdhënës.” – shtoi Znj. Lalaj. Leja jepet për një kohëzgjatje jo më pak se 4 muaj, deri sa fëmija të arrijë moshën 6 vjeç, si dhe, në rastin e birësimit, deri sa fëmija mbush 12 vjeç. Ajo mund të jepet e ndarë, por jo më pak se 1 javë në vit.

Did you find this useful?