Rikthimi i pasurisë së paprekshme si kolateral

Ened Topi, Manager, Departamenti Ligjor Deloitte Albania & Kosova

Tanimë me ligjin e ndryshuar, palët në transaksionet e biznesit mund te përdorin sërish si kolateral edhe pasuritë e paprekshme si aksione, llogari, patenta, marka tregtare, të drejta autori, si të tashme edhe të ardhme.

Titulli i këtij shkrimi, i denjë për një film epik, përshkruan më së miri lehtësimin e profesionistëve të sektorit bankar dhe atij ligjor nga lajmi i miratimit nga Kuvendi më datë 20 tetor 2016, i projektligjit për ndryshimet në Ligjin për Barrët Siguruese (ligj nr. 101/2016).
Për hir të së vërtetës, Ligji për Barrët Siguruese po zbatohej me sukses deri në ndërhyrjen e ligjvënësit në vitin 2013, ndërhyrje që e privoi ligjin nga pjesë të rëndësishme të tij. Ligji për Barrët Siguruese, në fuqi nga viti 2000, ka meritat për krijimin e një sistemi të shpejtë për sigurimin e transaksioneve.
Ligji u ofroi siguri institucioneve bankare që dëshironin të zgjeronin portofolin e klientëve, në mundësimin e financimit të këtyre të fundit duke marre si garanci kolaterale të ndryshëm, përfshirë ndër të tjera edhe pasurinë e paprekshme (p.sh. kuota në shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe / ose aksione nominale në shoqëri aksionare, llogaritë bankare, të drejta nga kontratat, patenta, markat tregtare dhe të shërbimit, të drejtat e autorit, llogari, etj.). Për këtë qëllim ligjvënësi krijoi një regjistër të posaçëm, të administruar fillimisht nga Ministria e Financave dhe duke filluar nga viti 2009, nën administrimin e një subjekti privat bazuar në një kontratë koncesionare.
Në vitin 2013, me ligjin 132/2013, Ligji për Barrët Siguruese përjetoi disa ndryshime, të cilat privuan atë nga disa koncepte kryesore si ‘pasuria e paprekshme’, 'instrument', ‘letra me vlerë’ dhe ‘llogari’.
Këto ndryshime u miratuan njëkohësisht me Ligjin për Sistemin e Pagesave (133/2013), i cili hyri në fuqi me 29 maj 2013. Pritej që ligji 133/2013 të mbushte boshllëqet e krijuara nga ndryshimet në Ligjin për Barrët Siguruese, megjithatë kjo nuk ndodhi.
Ligji për Sistemin e Pagesave prezantoi konceptin e kolateralit financiar në përputhje me direktivat përkatëse të BE-se. Kolaterali financiar u përkufizua si një instrument që mund të përdoret vetëm ndërmjet personave juridike. Individët u përjashtuan nga mundësia për përdorimin e këtij instrumenti. Sipas përkufizimit të paktën njëra nga palët në marrëveshjen e kolateralit financiar duhet të jetë Republika e Shqipërisë, Banka e Shqipërisë, një bankë qendrore e huaj, një bankë ose institucion financiar lokal, një bankë e huaj apo institucion financiar ose subjekti i ngjashëm me një bankë ose institucion financiar, një agjent shlyerës, një operator ose një autoritet publik vendor apo ndërkombëtar.
Mbetet i paqartë qëllimi i ndërhyrjes dhe arsyet e një veprimi të tillë nga ana ligjvënësit dhe organizmave të tjera publike që ndërmorën iniciativën, megjithatë efektet e ndryshimeve ishin shumë të ndjeshme për profesionistët e sektorit (bankar, ligjor, biznese, etj.).
Menjëherë pas ndryshimeve të Ligjit për Barrët Siguruese, profesionistët filluan diskutimet mbi mundësitë për të kufizuar ndikimin e mungesave dhe të vazhdimit të të bërit biznes. Për këtë qëllim, profesionistët u drejtuan për zgjidhje të mundshme në dispozitat e Kodit Civil mbi pengun joposedimor, pavarësisht se mbështesnin fuqimisht rikthimin e koncepteve të shfuqizuara në ligj. Në atë kohë, shqetësimet kryesore të profesionistëve (ligjorë) lidheshin me mënyrën për të marrë interesa sigurie mbi kuotat në shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe aksionet në shoqëritë aksionare, llogaritë e arkëtueshme, të drejtat nga kontratat, etj., duke pasur parasysh se ndryshimet në Ligjin për Barrët Siguruese nuk parashikonin më një mundësi të tillë.
Në të vërtetë, Kodi Civil si në kohën e ndryshimeve por dhe në datën e këtij shkrimi, parashikon mundësinë për të marrë interes sigurie mbi pasurinë e paprekshme. Disa nene të kodit e parashikojnë një mundësi të tillë, megjithatë zbatueshmëria e dispozitave të kodit në lidhje me perfeksionimin e pengut dhe ekzekutimin tij ngrinte shqetësime. Shumë profesionistë në këtë periudhë argumentuan mbi paqartësitë e dispozitave të kodit, dhe kërkuan ndryshime në Kodin Civil, me qellimin për të rregulluar qartë perfeksionimin dhe ekzekutimin e pasurisë se paprekshme, ose të paktën të riktheheshin dispozitat e shfuqizuara në Ligjin për Barrët Siguruese.
Efektet e ndryshimeve ne Ligjin për Barrët Siguruese përkeqësuan dhe treguesit e vendit në publikimin Doing Business (Banka Botërore). Raporti i Bankës Botërore për këtë çështje përcakton se "Financimi: Shqipëria ka dobësuar sistemin e saj të transaksioneve të siguruara përmes një ndryshimi ne Ligjin për Barrët Siguruese, i cili nuk lejon pasuritë e paprekshme të sigurohen me peng joposedimor".
Në këto rrethana, Këshillit i Ministrave ndërmori nismën më të fundit (VKM nr. 365, datë 2016/05/18) mbi propozimin e projektligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8537, datë 18.10.1999 "Për Barrët Siguruese", të ndryshuar " të miratuar nga Kuvendi më datë 20 tetor.
Bazuar në relacionin qe shoqëronte projektligjin "...ndryshimet e ligjit 8537/1999, nëpërmjet ligjit 132/2013, kanë sjellë një boshllëk ligjor lidhur me krijimin dhe regjistrimin e kolateralit...". Prandaj, vazhdon ligjvënësi qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i boshllëkut ligjor, duke rikthyer ligjin për barrët siguruese në situatën përpara ndryshimeve nëpërmjet ligjit 132/2013, për sa u takon përcaktimeve të shfuqizuara.
Për këtë qëllim në projektligjin e miratuar rigjejmë përkufizimin e pasurisë së paprekshme, si çdolloj pasurie qe nuk është send, instrument ose titull (kjo është një risi në përkufizim). Janë pasuri e paprekshme pronësia intelektuale, llogaritë, etj.
Ndryshimet e tjera janë riformulimi i përkufizimit të barrës siguruese, e cila përfshin pasurinë e paprekshme dhe me këtë mënyrë është përcaktuar si një e drejtë reale mbi pasuri të paprekshme ose pasuri të luajtshme të prekshme, si të tashme ashtu dhe të ardhme, që siguron një ose më shumë detyrime që kanë lindur përpara ose pas lidhjes se marrëveshjes siguruese si dhe risjellja e përkufizimit shitje e llogarive në përkufizimin “ceduesi dhe cesionari”.
Në përfundim, duhet thënë se projektligji i miratuar është i mirëpritur, duke pasur parasysh se këto ndryshime do të sjellin përsëri qartësi, si dhe do të qetësojnë pasiguritë e profesionisteve ligjorë, që e gjetën rrugën e tyre pas rebusit të krijuar në 2013 duke përdorur dispozitat e Kodit Civil mbi pengun. Rihyrja në fuqi të njëjtave mënyra për përdorimin e pasurisë se paprekshme si kolateral do të lejojë palët në transaksion të zgjedhin rrugën më të lehtë për të siguruar shlyerjen e detyrimeve dhe procesin e mundshëm të ekzekutimit.
Miratimi i këtij projektligji, sigurisht që do të lehtësojë punën e të paktën profesionistëve bankare, ligjorë dhe të palëve në transaksionet e biznesit, që do të kenë përsëri një gamë të gjerë instrumentesh sigurie nga të cilat mund të zgjedhin.
 

Ened Topi
Ened Topi
Did you find this useful?

Related topics