Njohuri

Incentivat si mbështetje të fushatës ndaj informalitetit

Disa propozime për incentiva

Intervistë me Olindo Shehun, Partner për Taksat dhe Çështjet Ligjore Deloitte Albania & Kosova

Cili është opinioni juaj për fushatën mbi informalitetin?

Fushatë do të thotë se ka një fillim dhe një fund.  Eksperienca ka treguar se fushatat kanë impakt të limituar, përkatësisht gjatë periudhës së fushatës.  Nuk mendoj se vendi ynë ka luksin të luftojë, zvogëlojë apo eleminojë informalitetin nëpërmjet fushatave.  Fushata do të ketë një fund dhe ky fund do të vijë në momentin kur të bjerë presioni politik ndaj administratës tatimore. Nëse kjo fushatë do të shoqërohet me reforma strukturore, incentiva ligjore dhe zhvillim kapacitetesh njerëzore, atëherë edhe impakti mund të jetë efektiv dhe afatgjatë. 

Megjithatë, për të mos qenë skeptik rreth çdo mase që merr qeveria, duhet të pranoj që më në fund një fushatë e tillë do të barazojë ato biznese që kanë paguar gjithmonë tatime me ato biznese të cilat si pasojë e kësaj fushate do të fillojnë më në fund të deklarojnë e të paguajnë tatimet respektive.  Kjo është shumë pozitive jo vetëm per vendin, sepse rriten të ardhurat buxhetore, por edhe për të rritur konkurrencën e ndershme dhe shërbimin ndaj konsumatorit.      

Çfarë do të propozonit ju si masa shtesë në funksion të kësaj fushate?

 Aktualisht është duke u përgatitur ligji i ri për Tatimit mbi të Ardhurat.  Si pjesë e këtij ligji, unë do të rekomandoja incentiva të ndryshme për të nxitur tatimpaguesit, individët, qyetetarët e këtij vendi në rolin e bashkëpunëtorëve kryesorë në luftën kundër informalitetit së bashku me administratën tatimore.  Skema incentivuese ka plot dhe ju siguroj që nuk do të jemi ne që do të “shpikim rrotën”.  Prej dy vjetesh, ne si Deloitte kemi propozuar legjislacione me skema incentivimi te ndryshme, si psh:

A)     në lidhje me tërheqjen e kuponit fiskal:

a. Çdo individ mund të zbresë nga të ardhurat e tij të tatueshme një shifër të caktuar në lidhje me koston e jetesës, e cila është e mbështetur me kupona fiskalë të mbledhur nga blerjet e ndryshme gjatë vitit.  Për të përfituar këtë zbritshmëri, jo vetëm që individi të mbledhë kuponat fiskale, por duhet edhe të përgatisë deklaratën e të ardhurave personale; ose,

b. Çdo individi i cili dorëzon një numer të caktuar kuponash fiskalë në administraten tatimore, t’i bëhet një rimbursim TVSH-je prej:

i.10 Euro nëse dorëzohen mbi 30 kupona me vlerë totale prej 250 Euro,

ii.15 Euro nëse dorëzohen mbi 40 kupona me vlerë totale prej 500 Euro, dhe

iii.20 Euro nëse dorëzohen mbi 50 kupona me vlerë totale prej 800 Euro.

Aktualisht një politikë e tillë eshte duke u aplikuar në Kosovë dhe, në perfundim të një periudhe vetëm tre mujore, janë procesuar 3,000 rimbursime nga administrata tatimore ndaj individëve që kanë dorëzuar kuponat fiskale.  

B)      Në lidhje me dorëzimin e deklaratës së tatimit mbi të ardhurat personale

a.       Një prej kushteve për të aplikuar për një kredi shtëpie, makine apo çdo lloj financimi nga një bankë apo institucion financiar në Shqipëri të jetë edhe dorëzimi i deklaratës së të ardhurave personale të depozituara në administratën tatimore nga ana e aplikuesit.  Kjo masë mund të zgjerohej më tej edhe për aplikime të tjera si psh. bursa studimi, viza në ambasada te ndryshme etj. por kjo do të varej nga kapacitetet menaxhuese te administratës.  Në këtë mënyrë, çdo individ do të kishte interes të mblidhte kuponat tatimorë në mënyrë që të paguante tatime me pak, të pergatiste deklaratën e tatimit mbi të ardhurat personale në mënyrë që të kishte mundësi të aplikonte për një kredi, bursë, e me rradhë dhe në këtë mënyrë mbyllet cikli duke ndihmuar formalizimin.

C)      Në lidhje me shmangien e abuzimeve prej inspektorëve tatimore

a.Çertifikimi i deklaratave tatimore prej kompanive private për ato subjekte të cilat konsiderohen VIP, apo që zgjedhin të marrin këtë shërbim, ka qenë një iniciativë e jona (e Deloitte) që përpara se qeveria aktuale te vinte në fuqi.  Kemi draftuar ligjin, i cili do të mundësonte jo vetëm shmangien e abuzimit prej inspektorëve tatimore, por edhe ndarjen e riskut të administratës tatimore me kompani private si psh. Deloitte, KPMG, PWC apo EY, përmiresimin e klimës së të bërit biznes në Shqipëri dhe një bazë e mirë për të zhvilluar kapacitetet njerëzore në administratë.

E kuptoj që asnjë gjë nuk ndodh brenda ditës dhe vetë administrata ka nevojë për kohën e vet për të draftuar ligjet përkatëse dhe ndërtuar strukturat për të menaxhuar ndryshime thelbësore në legjislacion dhe në strukturë.  

Është propozuar shrirje e plotë e aplikimit të TVSH-së edhe tek biznesi i vogël, çfarë mendoni për këtë propozim?

Mendoj se është i vonuar, por e kuptoj që ka qenë gjithmonë një nga ato masat jo-populiste dhe mbart një kosto politike ne vetvete.  Asnjëherë masa të tilla nuk priten me pozitivitet, por TVSH-ja është një tatim të cilit nëse nuk i mbyllet cikli, i bie efikasiteti dhe asnjëherë nuk arrijmë objektivat kundër informalitetit nëse “xhepa” të tillë legjislativë egzistojnë.  Duke pasur një kategori të caktuar biznesi të cilit nuk i interesojnë faturat me TVSH, tendenca për t’i mënjanuar ato apo edhe presioni që mund të bëhet ndaj biznesit të madh për të mos lëshuar fatura tatimore me TVSH është i lartë.  Nga ana tjetër kemi edhe biznese te vogla që nëse do të rrisnin çmimin për të reflektuar TVSH-në do të dilnin totalisht jashtë tregut dhe do të detyroheshin të mbyllnin biznesin e tyre. Në aplikimin e kësaj mase duhet të merren parasysh për shembull zanatçinjtë si këpucarët apo rrobaqepësit.

Gjithsesi, nëse aplikimi do të ishte uniform për të gjithë dhe do të mundësohej konkurrencë e ndershme atëherë të gjithë do të luanin me rregulla të barabarta.  Si rrjedhojë, ky është një vendim politik dhe ka të bëjë me mënyrën se si në mendojmë të strukturojmë ekonominë e këtij vendi.  

Did you find this useful?