Njoftime për shtyp

Prezantimi i Rezultateve të vrojtimit “Hapat e parë në tregun e punës”

“Hapat e parë në tregun e punës”. Është ky vrojtimi ndërkombëtar për studentë dhe të sapo- diplomuar që “Deloitte Albania and Kosovo” mundësuan, me gjetje interesante mbi perceptimin e të rinjve për tregun e punës në Shqipëri, marrëdhëniet me punëdhëniesit, vlerësimin e njohurive të marra në ciklin e lartë të arsimit dhe sesi ato do t’iu shërbejnë për aftësimin profesional.

Roden Pajaj, Talent Leader në “Deloitte Albania and Kosovo”

Në vitin 2013 kemi pasur vetëm 78 pjesëmarrës në vrojtim. Pastaj në 2015-ën shkoi në 265 dhe tani kemi 965 pjesëmarës që është një nivel statistikor i qënësishëm

Vrojtimi nxorri në pah se të rinjtë e klasifikojnë veten si punëtorë të zellshëm, një personalitet që punën nuk e sheh thjesht një mënyrë për të fituar para, por si kënaqësi dhe shpërblim në vetvete.

Një tjetër gjetje interesante e vrojtimit ishte se të rinjtë e vlerësojnë përgatitjen e tyre për të kryerdetyra profesionale si asnjanëse, ndërsa mendojnë se nuk janë të përgatitur siç duhet për të kërkuar për punë. Zv.ministri i Arsimit, Ervin Demo shpjegoi masat që po merren për të afruar universitetet me tregun e punës.

Ervin Demo, zv.Ministër i Arsimit

Nëqoftëse dëshirojnë një qëndrueshmëri institucionale, do të jenë të detyruara që të kenë programe studimi që të jenë të lidhura me tregun e punës në territorin ku normalisht ofrojnë shërbimet e tyre. Përsa i përket asaj se cfarë bën universiteti, kuptohet që cdo mekanizëm që përdorim sot është për këtë gjë. Nqs flasim për procesin e akreditimit, vlerësohen më shumë kur kanë programe të dyfishta dhe kur i bëjnë me aktorët në tregun e punës, akreditohen më lart. Vetë nga pikëpamja e sigurimit të cilësisë së brendshme dhe asaj të jashtme, janë caktuar që po i përdorim për t’i shtyrë universitetet që të afrohen më shumë me tregun e punës

Një tjetër gjetje e vrojtimit ishte se të rinjtë në Shqipëri i kushtojnë një vëmendje të veçantë investimit në përgatitjen e tyre, qoftë kjo eksperiencë profesionale apo eksperienca të tjera. Por ajo që duhet të shihet me interes është hendeku mes përvojave që studentët janë duke përfituar dhe vlerësimit që ata kanë për dobinë e tyre.

Nga vrojtimi konfirmohet se edhe për të rinjtë shqiptarë, ashtu si edhe për ata të vendeve të tjera në rajon, karriera duket se ka kaluar në plan të dytë. Zhvillimi profesional nëpërmjet përftimit të ekspertizës dhe të përvojave të larmishme, mbetet ndër prioritetet më kryesore. Rëndësia për të pasur një punë që ofron zhvillim profesional, aftësim, ekspertizë dhe përvoja të reja theksohet edhe nga renditja që të rinjtë i bëjnë detyrave, të cilat do t’i motivonin më shumë në punë. Ata do të preferonin të punonin me atë punëdhënës, i cili ju ofron mundësinë për t’u zhvilluar dhe për të përfituar aftësi të reja, si dhe për të përparuar në karrierë. Ndaj pyetjes se cilat do të ishin arsyet kryesore të tyre për të ndryshuar punëdhënës, duket se ata do të merrnin një vendim të tillë, nëse nuk do të kishin vlerësim të mjaftueshëm të punës së tyre.

Vrojtimi tregon se të rinjtë preferojnë të punojnë në kompani të mëdha ndërkombëtare, ndërsa krahasuar me vrojtimin e vitit 2015 rezulton se është rritur numri i atyre që dëshirojnë të punoojnë në biznesin e tyre personal. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan mazniku shpjegoi se po synohet përmirësimi i klimës së biznesit dhe nxitja e një prirje të tillë tek të rinjtë.

Arbjan Mazniku, Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës

Unë besoj që ka gjëra që mund të bëhen. Më shumë në ndryshimin e klimës, por edhe në dhënien e disa incentivave. Në Bashkinë e Tiranës ne kemi dy programe që janë specifikisht të targetuara për çështje.

Një aspekt tjetër që vrojtimi mati ishin vlerat personale më të rëndësishme për brezin e ri: ku të rinjtë renditën familjen e lumtur, e ndjekur nga shëndeti i mirë, puna profesionale, edukimi dhe jeta e ndershme. 

Një tjetër gjetje interesante e studimit është se të rinjtë shqiptarë janë të gatshëm të zhvendosen në një shtet tjetër, për shkak të punës. Në krahasim me vitin 2015 vërehet se ka një rritje në këtë drejtim, po ashtu Shqipëria është më lartë edhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit. 

Maksim Caslli, Country Leader i “Deloitte Albania and Kosovo”

Nuk bëhet fjalë që të transferohesh nga Shqipëria në një zyrë tjetër. Por të transferohesh përkohësisht. Zyrat e tjera e kanë këtë vështirësi, të cilët nuk duan të udhëtojnë. Ndërsa shqiptarët nuk e kanë problem. Dhe faktikisht është vënë re brenda kompanisë që shqiptarët duan të shkojnë në vendet e tjera dhe lidhet edhe me gjetjet e mëparshme, që duan të mësojnë sa më shumë

Përvecse me të ftuarit në panel, gjetjet e vrojtimit u diskutuan edhe me të rinjtë dhe të pranishmit e tjerë në sallë, të cilët sollën këndvështrimet e tyre për tregun e punës në shqipëri dhe qasjen e të rinjve.

Did you find this useful?