Zhvillimet më të fundit të investimeve në vend dhe rajon

Njohuri

Investimet në vend dhe rajon, 

sipas Maksim Caslli Drejtues për Deloitte Shqipëri dhe Kosovë

Opinione mbi investimet gjermane në Shqipëri pas vizitës së Kancelares gjermane Merkel, klimën e biznesit, mundësitë për rritje të Partneritetit Publik Privat (PPP) pa rritur borxhin si dhe efekte të krizës greke në vendin tone për televizonin News 24

Prej 20 vjetësh ju jeni tashmë aktiv në tregun tonë mes investitorësh të huaj dhe vendas. Sipas jush çfarë mesazhi përcolli vizita e kancerales Merkel në Tiranë?

Vizita e Znj. Merkel është një ngjarje shumë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi nxjerr në pah rëndësinë që Shqipëria dhe rajoni merr për Gjermaninë në këtë moment, dhe njëkohësisht përcjell mesazhe të ndërthurura politike dhe ekonomike. Mesazhi kryesor që Znj. Merkel dha për Shqipërinë, ishte që Europa është e hapur për Shqipërinë dhe është çështje kohe se kur Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Ky është një mesazh direkt që i jepet bizneseve gjermane në Shqipëri, si dhe bizneseve të tjera gjermane që nuk janë prezent në Shqipëri, për ta parë me rëndësi tregun e Europës Juglindore. Dhe besoj që kjo do të shoqërohet me investime nga hapi në hap i kompanive gjermane në Shqipëri. Natyrisht, jo menjëherë, sepse çdo gjë kërkon kohën e vet. Tani kërkohet nga ambjenti i biznesit shqiptar t’i tregojë palës gjermane, se përveç mesazhit të Znj. Merkel, ky me të vërtetë prezanton mundësi për biznesin gjerman në Shqipëri. 

Shifrat e investimet po ashtu edhe të eksporteve gjermane të këtyre 2 dekadave kanë qenë modeste për vendin tonë, sidomos në krahasim me vende të tjera fqinje si Serbia, Maqedonia, Bosnja Hercegovina.

E para, Shqipëria përbën një treg të vogël. E dyta, partnerët tonë të biznesit më të natyrshëm janë Italia, Greqia dhe më pak Gjermania. Gjermania ka qenë gjithmonë me aktive në vendet e ish Jugosllavisë, që e kanë pasur partner më të hershëm në atë kohë dhe lidhjet e biznesit nuk është se shuhen në një ditë, ato vazhdojnë me kohë. Kjo bën që investimet gjermane në ato zona të jenë edhe më të mëdhaja se në Shqipëri. E dyta është edhe mentaliteti i të bërit biznes, mentaliteti në Shqipëri është ndryshe, është më shumë afër mentalitetit të Greqisë dhe të Italisë, sesa të Gjermanisë, të cilët e bën edhe më të vështirë pozicionin e bizneseve gjermane për të bërë biznes në Shqipëri. 

Ju si e mendoni të ardhmen e këtyre investimeve?

Natyrisht çdo gjë do vijë në rritje sepse aktualja është shumë e vogël, s ka si të shkojë më poshtë, duhet të shkojë më sipër. Kur një vend futet në Bashkimin Europian dhe ky ishte mesazhi i Znj. Merkel, nuk do të futemi nesër por në vitet në vijim, bëhet më atraktiv për gjithë botën investuese, për arsye se të gjithë mendojnë se tani rregullat e lojës nuk janë më rregullat e lojës së një vendi kundrejt një vendi tjetër, por janë rregullat e lojës të Bashkimit Europian. Do të thotë se investimet gjermane këtu do të gjejnë jo ndoshta 100%, por 90% të njëjtat kushte që të të bërit biznes në Gjermani. Kjo e bën atë edhe më atraktive. Një tjetër element atraktiv në tregun shqiptar, besoj se është potenciali për rritje. Pra, kur një investitor shikon kur të investojë nga në një vend në një vend tjetër, shikon fillimisht madhësinë e tregut. Mendoj se këtë treg që kemi e kemi zmadhuar me përfshirjen e Kosovës përmes lëhtësive të Rrugës së Kombit. Nga ana tjetër mbetet potenciali për rritje. Duke qenë se Shqipëria, ka pasur gjatë këtyre 20 viteve një rritje më të madhe se të tjerët, do ta ketë akoma më të lartë kur të hyjë në Bashkimin Europian. Mendoj se kjo do t’i pozicionojë kompanitë gjermane që të kenë më shumë vëmendje ndaj tregut shqiptar. Dhe, nga ana tjetër, ne si shqiptarë, si treg sjellim diçka më ndryshe në tregun ndërkombëtar, se cdo gjë është globale këto ditë. Mendoj që biznesmenët shqiptar janë shumë sipërmarrës. Ekziston shumë iniciativa e lirë në Shqipëri dhe arrijnë të evidentohen shumë ide të reja, gjë që bota e zhvilluar i kërkon. Por, nga ana tjetër, në Shqipëri zhvillimi është shumë kaotik, lëvizin me 25 drejtime të ndryshme, ndërkohë që një partner si Gjermania vendos pikërisht disiplinën e investimit që është shumë e nevojshme për të dalë suksesshëm në biznes. 

Nga ana tjetër, si është situata me Kosovën për këto investime?

Kosova, duke qenë se ka bërë pjesë në ish-Jugosllavinë e dikurshme, po të shikosh edhe mentaliteti në Kosovë, edhe orientimi i Gjermanisë ka qenë dhe është më i lartë sesa në Shqipëri. Pasi, në Shqipëri është më e theksuar influenca italiane, si në mënyrën e të bërit biznes, mentalitetit të produkteve që ne pëlqejmë ose jo, ndërsa në Kosovë kjo influencë është më më shumë gjermane. Unë e shikoj gjatë këtyre 10 viteve këto kufi po shkrihen, pra influence italiane në drejtim të Kosovës po rritet dhe influence gjermane në drejtim të Shqipërisë po rritet. Mendoj se po të shohësh dhe investimet në Kosovë dhe biznesemenët shqiptarë direkt kërkojnë teknologji gjermane më shumë sesa italiane, ndërsa ne jemi më të prirur për të marrë teknologji italiane sesa gjermane, të paktën në momentin e parë. Mendoj që shkrirja e tregjeve të dy vendeve tona sjell gjithmonë rritjen e influencave më pozitive nga njëri vend në tjetrin, dhe kuptohet Gjermania duke qenë fuqia numër një ekonomike e Europës, do të jetë e pashmangshme që do të ketë influencë në rritje në Shqipëri.

Kohët e fundit po flitet për zonat e lira ekonomike, për më shumë nxitje në biznes, sidomos për turizmin. Si i shikoni këto zhvillime, a janë mjaftueshëm për të nxitur Investime të huaja direkte?

Çdo nxitje ndihmon në përmirësimin e klimës së biznesit, kështu që edhe këto zona të lira, ndryshimi i bazës administrative, iniciativat të ndryshme, ndihmojnë që të tërheqin më shumë investime të huaja. Megjithatë, siç e tha në mesazhin e saj Znj. Merkel, ajo vuri theksin tek rëndësia e një pushteti gjyqësor  të pavarur, pra duhet “rule of laë” që i thonë në të gjithë botën, duhet patjetër që zbatimi i ligjit të forcohet në Shqipëri, sepse ne nuk është se na mungojnë iniciativat ose zonat për zhvillim, por na pengon moszbatimi i ligjit. Çdo biznes duhet të dijë rregullat e lojës. Pra, nëqoftëse rregullat e lojës ndryshojnë shpesh, atëherë ai bëhet më i ndjeshëm sepse nuk e di është i paqartë. Kur dikush do të investojë në një vend duhet të dijë se si dhe kur do ta kthejë këtë investim.

Cilët sektorë janë më të përshtatshëm për investime për Shqipërinë dhe pse?

Shqipëria në fund të fundit në tregun ndërkombëtar është lojtar, dhe ky lojtar duhet të sjellë atë që në gjuhën e biznesit quhet “competitive advantage”, pra avantazh konkurrues, që do të sjellë diçka ekstra kundrejt një vendi tjetër. Pra, nëse unë jam një investitor dhe i investoj paratë në Shqipëri dhe jo në një vend tjetër, duhet të shikoj se çfarë më ofron Shqipëria më shumë sesa ky vend tjetër. Mendoj se ne si Shqipëri ofrojmë disa gjëra që të tjerët nuk i kanë mjaftueshëm. E para është se kemi një gjeneratë të re në moshë. Pra, moshat mesatare në Shqipëri dhe në Kosovë janë më të ultat në Ballkan, dhe zakonisht gjenerata më e re kërkon edhe më shumë, janë më ekzigjentë për t’u zhvilluar. E dyta siç e thashë edhe më parë ne jemi shumë sipërmarrës. Po të shikosh të gjithë shqiptarët kudo që shkojnë në botë arrijnë të mbijetojnë dhe ndoshta fakti që jemi populli i vogël na ka dhënë me vete instiktin e mbijetesës, i cili në momentin ku ballafaqohesh me një botë më të madhe të jep mundësinë që të shkëlqesh mbi të tjerët. Por, megjithatë ne na mungon eksperienca. Pra, nuk kemi shumë eksperiencë në të bërit biznes siç e bën perëndimi. Mendoj se eksperienca e shumë shqiptarëve që kanë punuar jashtë Shqipërisë gjatë këtyre viteve që për një arsye ose tjetër kthehen në Shqipëri, është diçka e mirë sepse sjell një eksperiencë të të jetuarit, të bërit punë në një vend tjetër, sjell një kulturë tjetër, dhe kjo është ajo që ne na mungon më shumë në këtë moment.

Nëse e marrim nga industritë, besoj se industria e mineraleve është diçka që ne e kemi, por megjithatë mineralet nuk rrinë gjithë kohës, ato pakësohen. Ajo që ne kemi që mund të jetë interes për palën gjermane është natyra e bukur dhe turizimi. Por, natyrisht turizëm pa hotele dhe pa infrastrukturë nuk mund të kesh. Nëse shikon pozicionin gjeografik të Shqipërisë është shumë afër, pra është në Europë, është dy orë nëse shkon nga Gjermania me avion. Turizmin nëse ne do ta ruajmë, jo ta mbindërtojmë sic kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve, ofron dicka që gjermanët nuk e kanë, dhe jo vetëm gjermanët, por e gjithë bota tjetër, gjë e cila mund të sjellë shumë të ardhura për këtë vend dhe rrit bilancin tregtar. Pra, gjermanët do të vijnë të shpenzojnë këtu, e njëkohësisht do të kenë nevojë për ushqime të freskëta shqiptare, do të thotë që bujqësia shqiptare merr frymë, dhe nga ana tjetër shërbimet të cilat ne faktikisht i kemi të rritura në  një nivel të caktuar, bëhen edhe më efektive në këtë ambjent. Tjetra është siç u diskutua edhe dje në konferencën me Kancelaren Merkel, hidrocentralet ose energjia e gjelbër hidro. Shqipëria ka shumë potenciale ujore të cilat mund të na çojnë nga një vend importues, në një vend eksportues të energjisë elektrike.

Ka akoma vend, nuk dhamë ne mjaftueshëm licensa për hidrocentralet?

Mesa di ka shumë licensa që janë dhënë, por shumë pak janë bërë efektive. Gjithashtu, projekti TAP do t’i japë një dimension tjetër Shqipërisë, sepse gazi është element gjeopolitik, pra e vendos vendin tonë në një tjetër pozicion. Po të shohësh sot, veçanërisht në këto momente të konfliktit të botës perëndimore dhe Rusisë shikohet sesa rëndësi ka gazi në përcaktimin e politikave të ndryshme në botë. Nga ana tjetër, sjellja e gazit këtu do të thotë që ne të rregullojmë bilancin energjitik të brendshëm, pasi ne ngrohemi vetëm me energji elektrike dhe me dru (më shumë në fshatra), ndërkohë e gjithë bota ngrohet me gaz, që është burimi më i mirë. Nga ana tjetër, do të thotë se me ardhjen e gazit mund të ketë termocentrale, jo vetëm hidrocentrale, dhe ndërmjet tyre bota lëviz me energjinë e lirë dhe të shtrenjtë brenda ditës, jo ta lëshosh atëherë kur s’duhet lëshuar, por e ruan atëherë kur duhet ta lëshosh dhe anasjelltas. Kështu që mendoj se këto janë ato fusha që Gjermania dhe tregu ndërkombëtar shikon në Shqipëri si mundësi potenciale investimi.

Ju folët dhe prekët pak për partneritetin publik-privat. Në cfarë shkalle është ai dhe si duhet të zhvillohet?

Partneriteti Public Privat faktikisht është një nga mënyrat si mund të zhvillohet ky vend në këtë moment që jemi. Arsyeja është sepse Shqipëria ka një nivel borxhi të caktuar rreth 70%, dhe duke pasur parasysh krizën greke, tregu ndërkombëtar financiar mendon që nuk mund të rritet më tej. Objektivi i shqiptarëve dhe FMN-së është që të ulet. Pra, nëse tregu ndërkombëtar mendon kështu, nuk ka vend për diskutime të tjera. Pra, në këtë rast si do zhvillohesh si shtet? Ose do të rrisësh borxhin si shtet dhe do të investosh si shtet, gjë që nuk e bën dot për këtë arsye, ose do të gjesh mekanizma të tjera të gjetjes së financimit. Partneriteti Publik Privat ofron pikërisht alternative të tjera financimi. Pra, për ndërtimin e një infrastrukture publike i jep një kontratë një private, i cili me anë të kësaj kontrate rrit financimin në botën financiare (bankat) dhe arrin bën atë infrastrukturë. Pra, borxhin nuk e merr shteti, por e merr privati me anë të kontratës së koncesionit që ti i jep. Në kontratë janë tri palë: koncesionar dhënësi (shteti), koncesionar marrësi (private) dhe bankat që financon kontratën ose jo. Në shumicën e rasteve kjo kuptohet si kontratë dypalëshe. Nëse një kontratë nuk është e financueshme nga banka, atëherë ajo nuk ka vlerë. Shumica e kontratave janë dhënë në këtë mënyrë. P.sh. është dhënë një kontratë për hidrocentral, por nuk janë dhënë paratë dhe në momentin që shkon te banka nuk ta pranon sepse është e pavlefshme. Nga ana tjetër, ka gjetur një kriter pse po e jep këtë kontratë, sepse që të funksionojë kontrata private duhet ta kthejë investimin e bërë dhe deri kur duhet të kthehet. Pra, kërkon të fitosh 15-20% mbi kapitalin, që është një normë e përshtatshme për riskun e Shqipëerisë apo të fitosh gjithmonë 40%. Pra, duhet pasur kujdes që infrastruktura publike të ndërtohet me eficensë dhe me paratë e privatit, por mos të jepet në mënyrë të tillë që mbasi u ndërtua infrastruktura, privati të përfitojë gjithë kohën.

Kriza greke sa do ta dëmtojë vendin tonë sipas këndvështrimit tuaj?

Asnjë se di me saktësi sa do ta dëmtojë ose jo, por kriza greke mendoj se ka impakte negative dhe pozitive mbi Shqipërinë. Para 4-5 viteve përpara se të fillonte recesioni në botë dhe të fillonte dhe kriza greke, paratë e shqiptarëve në bankat greke ishin afro 5 miliardë euro, dhe të gjithë bankat greke në atë kohë kërkonin të vinin në Shqipëri që të tërhiqnin këtë kapital që ishtë në Greqi. Gjatë këtyre 2-3 viteve shumë kapital nga Greqia është larguar, rreth 100 miliardë euro në total, dhe është rritur fluksi i parave në bankat shqiptare. Kjo sjell një presion pozitiv mbi bankat dhe ambjentin tonë sepse për momentin Shqipëria nuk ka më sfidën e viteve ’90 që skishte para nëpër banka, por ka sfidën tjetër se çfarë të bëjë me këto depozita që janë nëpër banka, që janë rreth 9 miliardë, si t’i verë në qarkullim. Bankat për momentin kanë ulur interesin që u japin depozituesve, kanë shkuar tek 1%, sepse banka duhet t’i vërë në qarkullim. Duke qenë se nuk i vë dot në qarkull banka ul interesin. Shumë nga shqiptarët që kanë para nëpër banka do të vendosin në një moment të caktuar se 1% nuk është frytdhënës dhe do t’i tërheqin paratë që të investojnë në dicka. Pra, kjo do të sjellë një impakt pozitiv dhe do të fillojë investimi në Shqipëri.

Nga ana tjetër, një fluks i madh i parave në Shqipëri janë nga remitancat, të cilat kanë impakt dhe pritet që ato të zvogëlohen, pasi shqiptarët që jetojnë në vende të huaja, dalëngadalë kthehen në shtetas të këtyre vendeve duke e parë të ardhmen më shumë atje sesa në Shqipëri. Pra, ky është një efekt negative, sepse ndoshta ekonomia shqiptare nuk është e përgatitur që këto remitanca të ndalojnë menjëherë në këtë mënyrë. Nga ana tjetër, sfida greke sjell dhe shumë oportunitete sepse si në Greqi dhe Itali janë rritur taksat, dhe për këtë arsye investitorët vijnë në Shqipëri. Nëse Greqia dëshiron të dalë nga euro, gjë të cilën nuk e besoj, atëherë produktet greke, të cilat ne importojmë do të bëhen edhe më të lira. Kjo do të thotë se kosto e bizneseve shqiptare në çdo gjë që ne blejmë nga Greqia do të ulet. Këto janë impakte disi pozitive. Impakti negativ do të jetë njolla që i vendos të gjithë rajonit, duke qenë se Greqia është fqinje me Shqipërinë. Siç e përmenda pjesën e borxhit prej 70%, i cili mund të ishte edhe më i lartë, që do të thotë se ne mund të merrnim edhe më shumë para në tregun ndërkombëtar për të investuar në infrastrukturë. Ne nuk i marrim dot sepse të gjithë janë trembur nga kriza greke.

Zhvillimet më të fundit të investimeve në vend dhe rajon

Maksim Caslli, drejtues i Deloitte në Shqipëri dhe Kosovë komenton mbi të ardhmen e investimeve gjermane, mundësitë për Partneritetin Publik Privat si dhe mbi pasojat e krizës greke në vendin tonë, gjatë rubrikës speciale të lajmeve ne News 24.

Did you find this useful?

Related topics