Vizioni juaj

Parashikimi për 2021

Pritshmëritë e bizneseve në vend, vizioni dhe parashikimet për 2021

Si ka ndikuar pandemia në aktivitetin e biznesit në Shqipëri? Çfarë mendojnë pronarët dhe drejtuesit e kompanive rreth rritjes së pritshme ekonomike në vitin 2021 dhe më tej? Cilat janë strategjitë e kompanive në vitet e ardhshme? Ku parashikojnë të investojnë kompanitë në të ardhmen?

Ky raport paraqet perceptimin e 123 drejtuesëve të kompanive që operojnë në Shqipëri mbi pritshmëritë e rritjes ekonomike në vend dhe të kompanisë së tyre në të ardhmen. Perceptimet e tyre mbi zhvillimet ekonomike janë krahasuar me të dhënat e parashikuara nga institucione ndërkombëtare si EIU (“Economist Intelligence Unit”), FMN (“Fondi Monetar Ndërkombëtar”) dhe BERZH (“Banka për Rindërtim dhe Zhvillim”).

 

Si ka ndikuar pandemia në aktivitetin e biznesit në Shqipëri?

Qëllimi i këtij studimi tregu ka qënë për të analizuar kuptueshmërinë e drejtuesëve të kompanive, duke i krahasuar ato dhe me parashikimet dhe rezultatet e nxjerra nga institucione ndërkombëtare si EIU, FMN dhe BERZH. Kjo për të bërë një analizë krahasuese dhe për të parë pritshmëritë e tregut nga një këndvështrim tjetër.

Rezultatet tregojnë që nëse institucionet ndëkombëtare parashikojnë që rënia ekonomike e sektorit prodhues (industria) është 15% në 2020, drejtuesit e kompanive parashikojnë një rënie më të butë në nivel 5.6%. Ky ndryshim në rënien ekonomike midis dy treguesëve të mësipërm vjen sepse ndërsa drejtuesit e kompanive e shikojnë ecurinë më shumë në nivel “mikro” të lidhur ngushtësisht me sektorin ku operojnë ose me një perceptim të përgjithëm, ndërkohë institucionet ndërkombëtare e masin ndikimin në nivel makro (rënie e punësimit, fuqisë blerëse, ngadalësim të investimeve të huaja apo shtyrje të tyre etj.).

Në lidhje me sektorin e shërbimeve dallohet një përputhje midis perceptimeve të të anketuarëve dhe institucionet ndërkombëtare, në vlerat 5.3%-5.4%.

Sipas përgjigjeve të të anketuarëve, ndikimin më të lartë negativ në sektorin e prodhimit (industria) e ka regjistruar Industria e Rëndë dhe Përpunuese me 7.8% rënie aktiviteti, ndërkohë sektori energjitik, sic pritej është më pak i ndikuar me një rënie prej 2.3% në 2020.

 

Çfarë mendojnë drejtuesit e kompanive rreth zhvillimit të pritshëm ekonomik të kompanive të tyre në 2021 dhe më tej?

Sipas të dy burimeve, pyetësorit dhe institucioneve ndërkombëtare, faza e rimëkëmbjes gjatë 2021, parashikon të reflektojë afërsisht një rritje për të mbuluar rënien e 2020, si për sektorin e prodhimit dhe atë të shërbimeve.

Sipas institucioneve ndërkombëtare rimëkëmbjen më të lartë do ta regjistrojë sektori i prodhimit me 20% duke tejkaluar rënien e regjistruar më 2020 me 5%. Ndërsa sektori i shërbimeve do të rritet me 4.7%, 0.6% më pak se rënia e 2020.

Pritshmëritë e rimëkëmbjes nuk janë njësoj për të anketuarit, të cilët parashikojnë një vit 2021 të ndikuar nga efekti i pandemisë duke u rritur vetëm me 2.0% sektori i prodhimit dhe 2.7% sektori i shërbimit.

Kjo shmangie e lartë në % e rimëkëmbjes bazohet në të njëjtin argument si më lart ku analiza që bëjnë institucionet ndërkombëtare reflekton makroekonominë; efektet e riinvestimeve post tërmetit dhe fushatën zgjedhore.

Siç mund të dallohet, rimëkëmbja e parashikuar nga të anketuarit është më e ulet, duke e shtrirë efektin e rimëkëmbjes përtej 2021.

Mestarisht gjatë periudhës 2021-2025, të anketuarit parashikojnë një rritje me 1.8% për sektorin e prodhimit (industria) dhe 1.5% për sektorin e shërbimeve. Ritmet e rritjes në afatgjatë, duket sikur përafrohen me parashikimet e institucioneve ndërkombëtare (industria 3.0% dhe shërbimet 1.0%).

Në nivel sektori, sipas të anketuarëve, në 2021 sektori i teknologjisë parashikohet të njoh rritjen më të lartë me 7.1%, ndjekur nga kujdesi shëndetësor me 4.8% dhe turizmi 4.4%. Në një plan më afatgjatë, 2021-2025, sektori që parashikon rritjen më të lartë është Prodhimi dhe Industria e Rëndë me 9.5%, ndjekur nga Turizmi me 9.0%.

Si e parashikojnë ecurinë e biznesit të tyre kompanitë në varësi të moshës dhe madhësisë së tyre?

Nëse do t’i analizonim numrat në varësi të moshës së kompanive, dallohet që kompanitë që parashikojnë një rritje më të lartë janë kompantë start-up, me deri 5 vite aktivitet, specifikisht 4.3% kompanitë që janë themeluar rishtazi (0-2 vite) dhe 3.7% ato me 3-5 vite operimi. Kjo rritje besojmë lidhet me fleksibilitetit dhe stadin e zhvillimit të start-ups, që siç mund të kenë një rënie më të lartë kanë dhe një rritje më të lartë. Gjithashtu, ndodh që kompanitë më të reja mund të kenë dhe teknologjitë më të fundit që mund t’i kenë ndihmuar që të përballojnë krizën ose të dalin prej saj më “lehtë”.

Më tej në nivel madhësie, shihet që në linjë më sa më lart kompanitë e vogla kanë një rritje të parashikuar më të lartë për 2021 me 2.8%, kjo ndikuar nga pesha që zënë në këtë kategori kompanitë Start-Up, më pas vijnë kompanitë e mëdha “too big to fail” me 2.2%. Këto Kompani, për shkak të peshës që zënë në treg dhe rolit të tyre në ekonomi janë më “të qëndrueshme” në ritmet e tyre të rritjes. Segmenti që parashikohet të vuajë më shumë janë SME-të të cilat nga njëra anë nuk përfitojnë fleksibilitetin e kompanive të vogla dhe nga ana tjetër nuk kanë madhësine e duhur në treg që të absorbojnë tkurrjet e ekonomisë.

Cilat janë strategjitë e së ardhmes për kompanitë dhe ku/si parashikojnë të investojnë në të ardhmen?

Një pyetje me interes për të anketuarit është sesi ata e shohin të ardhmen dhe strategjitë e tyre për të arritur rritjet e pritshme. Nga të anketuarit rezulton që 68% e kompanive që operojnë në sektorin e Mallrave të Konsumit, Shitjes me Pakicë do të fokusohen në zgjerimin në tregun vendas, ndërkohë 90% e kompanivë që operojnë në sektorin e Prodhimit dhe Industrisë së Rëndë parashikojnë zgjerim rajonal dhe ndërkombëtar (kjo arsyeton dhe rritjen e parashikuar më të lartë nga sektorët e tjerë në 4 vitet e ardhshme me 9.5%).

Sektori i Industrisë së Shërbimve Financiare (“ISHF”) parashikon të fokusohet kryesisht (79% e kompanive të këtij sektori) në diversifikimin e produktit/shërbimeve. Kjo dhe si rezultat i pandemisë, ku shërbimet online janë bërë thelbësore, kështu bankat kanë filluar të përshtasin shërbimet në funksion të nevojave të klientëve të tyre. Kjo dallohet qartë dhe që në kuadër të diversifikimit të shërbimeve dhe produktit, ISHF-të janë sektori më i fokusuar në investimet teknologjike me 50% e kompanive. Në linjë me ISHF, sektori i telekomunikacionit pritet të përqëndrohet në diversifikimin e produktit/shërbimeve (78% e kompanive).

Pandemia vuri në qëndër të vemendjes vendet me një sistem shëndetësor vulnerabël. Anketa tregon që sektori i kujdesit shëndetësor do fokusohet njëkohësisht në zhvilime teknologjike dhe të kapitalit njerëzor.

 

Did you find this useful?