Çështje të draftit të ligjit për Falimentin

Njohuri

Çështje të draftit të ligjit për Falimentin

Deloitte Legal

Intervistë me Sabina Lalaj, Drejtuese e Departamentit Ligjor, Deloitte Albania publikuar në revistën e përjavshme Monitor

Projektligji për falimentimin sjell risi dhe ndryshime të rëndësishme në rregullimin e deritanishëm të procedurave të falimentimit, bazuar dhe në eksperiencën e BE-se dhe vendeve të rajonit. Është për t’u vlerësuar maksimalisht puna e deritanishme e autorëve si dhe organizimi i takimeve me grupet e interesit për të përmirësuar dhe më tej këtë projektligj.

Cilat janë nenet më të diskutueshme në pr/ligj faliment?

Mendoj se një diskutim të veçantë do të krijojë neni 146 i projektligjit për falimentimin, nëse do të miratohet në formën që është hartuar aktualisht. Më saktësisht ky nen përcakton shpërndarjen e pasurisë sipas radhës së preferimit, radhë kjo deri më tani e rregulluar nga neni 605 i Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë. Projektligji për falimentimin, në nenin 146, përcakton një radhë të ndryshme preferimi, nga ajo e përcaktuar në nenin e sipërpërmendur të Kodit Civil. Pra kemi dy dispozita të ndryshme për radhën e preferimit të kreditorëve. Mendoj se kjo mospërputhje e normave do të bëhet objekt diskutimi dhe interpretimi midis palëve në procesin e falimentimit, pra debitorit, kreditorëve, gjykatës dhe administratorit të falimentit.

Gjithashtu, pavarësisht ndryshimeve pozitive, projektligji në mjaft nene përdor referenca në afate të papërcaktuara, si “afat i mjaftueshëm”, ose “afat i arsyeshëm”, etj. Kjo mungesë përcaktimi do të nxisë diskutime midis kreditorëve, gjykatësit dhe administratorit të falimentimit për pëcaktimin e përkufizimit të saktë të afatit të mjaftueshëm/arsyeshëm. Do të ishte me vend përcaktimi i afateve konkrete në ligj, në mënyrë që të mundësohet një proces i shpejtë dhe efiçent për kryerjen e riorganizimit apo likuidimit. 

Moszbatimi i ligjit deri me sot kujt faktoreve i dedikohet?

Një nga arsyet kryesore të moszbatimit të ligjit të falimentit deri më sot ka qenë paaftësia paguese e subjekteve në falimentim, pra pamjaftueshmeria  e masës së falimentit, që nuk mundësonte mbulimin e shpenzimeve të procedurës se falimentimit.

Projektligji  vjen me një zgjidhje për këtë problem, duke parashikuar krijimin e një fondi publik të posaçëm i cili sipas përkufizimit të dhënë do të administrohet nga Agjencia Kombëtare e Falimentimit. Ky fond i posaçëm publik do të përdoret për mbulimin e shpenzimeve të procedurës në rastet kur masa e falimentimit është e pamjaftueshme.

Sipas nenit 28 të projektligjit fondi i posaçëm publik krijohet përmes kontributeve nga buxheti i shtetit, nga detyrimet financiare të debitorëve që likuidohen, si dhe nga burime të tjera që do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Po me vendim të Këshillit të Ministrave do të përcaktohet dhe përqindja e masës së falimentimit që do të kalojë në fondin e posaçëm.

Duhet theksuar se sipas radhës së preferimit të përcaktuar në nenin 146 të projektligjit, detyrimet financiare ndaj fondit të posaçëm janë në radhën shtatë, kundrejt kreditorëve të tjerë. Në këto kushte mendoj se peshën kryesore të financimit të fondit të posaçëm të paktën për vitet e para të zbatimit të këtij ligji do ta mbartë buxheti i shtetit. 

A rrezikon pr/ligji per falimentin qe te shkaktoje "perplasje" me funksionin e bankave?

Projektligji në kreun pjesa e gjashtë “Mjetet dhe procedurat për parandalimin e likuidimit. Riorganizimi dhe ristrukturimi i borxhit” parashikon mundësinë e parandalimit të likudimit nëpërmjet ristrukturimit të borxhit. 

Në nenet 171-176 parashikohet mënyra e realizimit të ristrukturimit të borxhit për të shmangur hapjen e procedurës së falimentimit. Debitori ka të drejtën të kërkojë nga kreditorët një marrëveshje për ristrukturimin e borxhit e cila miratohet në gjykatë, pasi miratohet nga shumica e kreditorëve. Në këto nene nuk përcaktohet asnjë e drejtë e veçantë për kreditorët e siguruar banka apo institucione financiare jo banka.

Marrëveshja e ristrukturimit e miratuar nga gjykata, përfaqëson një kapërcim të vullnetit kontraktor kur kemi të bëjmë me ristrukturimin e detyrueshëm të një kontrate lidhur midis debitorit kreditorit, i  cili nuk e ka miratuar këtë ristrukturim.

Kjo risi ka qenë një çështje e diskutuar nga përfaqësuesit e sektorit bankar, të cilët kanë sugjeruar si masë mbrojtje përfshirjen në ligj të cilësimit se nevojitet miratimi i shumicës se kreditorëve të siguruar banka apo institucione financiare për pranimin nga gjykata të çdo ristrukturimi të borxhit sipas neneve të sipërcituara.

Cfare sjell te re pr/ligj per individin, po per biznesin

Projektligji e zgjeron rrethin e subjekteve për të cilët zbatohet ky ligj me familjet bujqësore, personat juridike publikë, organizatat jo fitim-prurëse që ndjekin qëllime ekonomike dhe me njesitë administrative vendore.  Këto të fundit janë subjekt vetëm i procedurës së riorganizimit.

 

Përsa u takon individëve në projektligj parashikohet mënyra e shtrirjes së procedurës së falimentit mbi pasuritë e trashëgimlënësit, bashkëpronësinë e bashkëshortëve në përputhje me regjimin e bashkësisë ligjore apo asaj me kontratë etj.

Përsa i takon biznesit, prjektligji ka propozuar shfuqizimin e nenit 104 te Ligjit Nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, sipas të cilit midis të tjerash, administrata tatimore kërkon në gjykatë fillimin e procedurës së falimentimit për tatimpaguesit, shoqëri tregtare që deklarojnë rezultat me humbje të kapitaleve të veta për të paktën 3 vite rresht.

Ky ndryshim i sugjeruar nga projektligji, shmang përfshirjen në procedura të falimentimit të subjekteve tregtare që për arsye të llojit të aktivitetit që kryejnë, nuk mund të gjenerojnë fitime në vitet e para. 

Did you find this useful?