Njohuri

Për një huamarrje eficiente të qeverisë vendore

Mjetet ligjore

Mjetet ligjore për një administrim më të mirë të taksave janë tashmë në duart e administratorëve vendorë, të cilët duhet të ndërmarrin reforma të menjëhershme, me synim përmirësimin e situatës financiare të njësive që qeverisin dhe rritjen e besueshmërisë në sytë e kreditorëve.

Para kryerjes së çfarëdo vlerësimi të instrumenteve të huamarrjes në dispozicion të qeverisë vendore në Shqipëri dhe rritjes së eficiencës në përdorimin e tyre, është e nevojshme të fillohet me prezantimin e reformës së fundit territoriale dhe administrative të zbatuar në vend.

Përshkrimi i peisazhit territorial dhe administrativ e ndihmon lexuesin të kuptojë mekanizmin e huamarrjes së qeverisë vendore dhe të ketë një pamje më të plotë të tij.  Në vijim të pjesës hyrëse, ky artikull synon të trajtojë mënyrën se si qeveria vendore mund të përdorë në mënyrë eficiente financimet e marra. 

Qeveria Shqiptare ndërmori një reformë të rëndësishme administrativo-territoriale, e cila i dha një pamje të re hartës së qeverisë vendore. Duke filluar nga zgjedhjet e fundit vendore Republika e Shqipërisë është e ndarë në 61 bashki, tanimë të mëdha, si dhe 12 qarqe.

Arsyeja  nxitëse e reformës besohet se ishte krijimi i bashkive të mëdha (ose super-bashkive si: Tirana) me një administratë vendore eficiente, megjithëse me një numër më të madh punonjësish, që do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore. Reforma e sipërpërmendur filloi dhe u shoqërua me ndryshimet përkatëse në kuadrin ligjor që rregullon qeverinë vendor. Reforma administrative në Republikën e Shqipërisë filloi me miratimin e ligjit nr. 115/2014: “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Ligji u miratua nga Kuvendi në 31 korrik 2014 dhe hyri në fuqi në 16 shtator 2014, pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Ndryshime të tjera në legjislacionin e qeverisë vendore u miratuan në vijim nga Kuvendi, përfshirë këtu dhe ligjin nr. 30/2015, i cili ndryshoi ligjin 8652/2000: “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, i ndryshuar.

Pavarësisht nevojës për përmirësim e përafrim me legjislacionin e Bashkimit Europian, kuadri ligjor në fuqi ofron rregullimin e përshtatshëm për krijimin e një sistemi të huamarrjes vendore dhe rritjes së eficiencës në përdorimin e saj, për zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve vendore.

Duke mbyllur këtu përshkrimin e ndryshimeve thelbësore në hartën administrativo- territoriale të vendit dhe duke kthyer vëmendjen në çështjen e huamarrjes vendore, duhet të përmendim se aktet kryesore që rregullojnë huamarrjen e qeverisë vendore janë ligji nr.9869, datë 04.02.2008: “Mbi huamarrjen e qeverisë vendore” dhe ligji nr.10158, datë 15.10.2009: “Për obligacionet e shoqërive aksionare dhe të qeverisë vendore”. Sipas dispozitave të ligjit 9869/2008, njësitë e qeverisë vendore mund të kërkojnë në treg marrjen e huave afatgjata, ose afatshkurtra, si për qëllime investimi (huat afatgjata), ose për të përballuar mungesën e përkohshme të likuiditetit (huat afatshkurtra).

Qeveria vendore mund të kërkojë në tregjet financiare, apo nga institucionet financiare hua, si në monedhën vendase ashtu dhe në atë të huaj, me normë interesi fikse ose të ndryshueshme. Për sa i takon mënyrës për të kërkuar dhe marrë huat, të dy format e huamarrjes, qoftë ajo afatshkurtër apo afatgjatë, janë në një mënyrë të kushtëzuara nga miratimi i Ministrisë së Financave. Në rastin e huas afatshkurtër, njësia e qeverisë vendore duhet të presë deri në marrjen e “përgjigjes negative” nga Ministria e Financave, ku të përcaktohet se buxheti i shtetit nuk do të mbulojë nevojat për likuiditet të kësaj njësie.

Në lidhje me huan afatgjatë Ministri i Financave ka fjalën e fundit për miratimin, në rastet kur huaja do të sigurohet nga tregjet ndërkombëtare, ose do të merret me qëllim ri-financimin e një huaje të mëparshme, apo kur njësia vendore huamarrëse ka pasur raste të vështirësive financiare në pesë vitet e fundit. Në këtë rast miratimi i Ministrit të Financave është vendim-marrës.

Në raste të tjera, përveç atyre të përmendura më lart, miratimi i Ministrit të Financave kufizohet në zbatimin e procedurave për autorizimin dhe verifikimin e kufijve të huas, siç përcaktohet në dispozitat e ligjit të sipërpërmendur për huamarrjen vendore. Në asnjë rast miratimi i Ministrisë së Financave nuk mund të konsiderohet si një garanci shtetërore e Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e huamarrjes së qeverisë vendore.

Në kushtet e mungesës së garancisë shtetërore për të mbështetur huamarrjen e qeverisë vendore, duhen marrë në konsideratë çështjet e mëposhtme. Qëllimi i legjislatorit është që kreditorët të ndërmarrin gjithë masat e nevojshme për arkëtimin e borxhit, në rast mos-shlyerje nga ana e huamarrësit.

Nga ana tjetër, deri më sot, njësitë e qeverisë vendore nuk mund të jenë subjekt i procedurave të falimentimit apo riorganizimit sipas ligjit në fuqi për falimentimin. Vlen për t’u përmendur fakti se, projektligji për falimentimin, tashmë në shqyrtim, parashikon mundësinë e riorganizimit të njësive të qeverisë vendore.

Megjithatë, në kushtet aktuale asnjë kreditor nuk mund të kërkojë rikuperimin e borxhit nëpërmjet procedurave të falimentimit. Pra, kreditorët do të ishin më të gatshëm të financojnë huamarrës të besueshëm, që gëzojnë një nivel të pranueshëm pavarësie dhe stabiliteti financiar.

Në momentin kur njësitë e qeverisë vendore krijojnë një nivel besueshmërie të konsoliduar për huamarrjen, institucionet financiare dhe investuesit do të jenë më të gatshëm për t’u përfshirë në financimin e projekteve madhore dhe nismave të qeverisë vendore.

Si përmendëm dhe më lart, njësitë e qeverisë vendore kanë të drejtën të emetojnë obligacione, në përputhje me dispozitat e ligjit 10158/2009, një formë tjetër kjo për sigurimin e financimit nëpërmjet huamarrjes nga qeveria vendore. Në mënyrë të ngjashme me marrjen e huave, qeveria vendore mund të emetojë obligacione afatshkurtra dhe afatgjata, të cilat detyrimisht duhet të mbështeten nga plani përkatës i huamarrjes, i audituar nga një auditor i jashtëm i licencuar.

Pas evidentimit të mundësive të financimit të qeverisë vendore të rregulluara nga legjislacioni në fuqi, më poshtë paraqiten disa vlerësime për rritjen e mundësive të financimit nëpërmjet huamarrjes dhe përdorimin eficient të saj. Fillimisht vlen të përmendet se, bashkitë e mëdha që u krijuan pas zgjedhjeve vendore janë më tërheqëse për kreditorët. Gjithashtu, duhet përmendur se këto njësi të reja të qeverisë vendore duhet të fitojnë apo rikthejnë besimin e kreditorëve.

Kjo mund të realizohet nëpërmjet disiplinimit të financave dhe administrimit eficient të taksave, si në procesin e identifikimit, mbledhjes dhe të shpenzimit të arkëtimeve. Për sa i takon administrimit eficient të taksave ka ende shumë për tu bërë nga njësitë e qeverisë vendore. Mbetet pjesë e diskutimeve të vazhdueshme publike se aktualisht niveli i arkëtimit të taksave është shumë i ulët, gjendje që faktohet dhe më tej nga nisma e ndërmarrë nga qeveria për formalizimin e biznesit.

Mjetet ligjore për një administrim më të mirë të taksave janë tashmë në duart e administratorëve vendorë, të cilët duhet të ndërmarrin reforma të menjëhershme me synim përmirësimin e situatës financiare të njësive që qeverisin dhe rritjen e besueshmërisë në sytë e kreditorëve. Në momentin kur njësitë e qeverisë vendore krijojnë një nivel besueshmërie të konsoliduar për huamarrjen, institucionet financiare dhe investuesit do të jenë më të gatshëm për t’u përfshirë në financimin e projekteve madhore dhe nismave të qeverisë vendore.

Partneritetet publik-privat janë një formë bashkëpunimi që mund të rrisë besueshmërinë financiare dhe të plotësojë nevojat e qeverisë vendore për investime, ku ekspozimi financiar shtrihet një periudhë kohore të gjatë. Kjo formë e veçantë bashkëpunimi midis subjekteve publikë dhe privatë, e rregulluar nga ligji nr.125/2013 date 25.04.2013: “Për koncesionet dhe partneritetin publiko-privat”, i ndryshuar, ofron dy kushte të favorshme për njësitë e qeverisë vendore që synon të realizojë investime duke përdorur këtë formë.

Në njërën anë, rreziku dhe kostot e menjëhershme të investimit transferohen tek partneri privat dhe në anën tjetër, shlyerja e këtyre kostove shtrihet përgjatë viteve të kontratës së lidhur me partnerin privat, duke shmangur kështu krijimin e detyrimeve me afat të shkurtër ri-pagimi në financat e qeverisë vendore. 

Pavarësisht nevojës për përmirësim e përafrim me legjislacionin e Bashkimit Europian, kuadri ligjor në fuqi ofron rregullimin e përshtatshëm për krijimin e një sistemi të huamarrjes vendore dhe rritjes së eficiencës në përdorimin e saj, për zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve vendore.

Në këto kushte, reforma e filluar me rindarjen administrativo-territoriale duhet të vazhdojë me disiplinimin e financave dhe administrimin eficient të taksave të mbledhura nga qeveria vendore, për të rritur besueshmërinë e njësive vendore përballë huadhënësve, si dhe me shfrytëzimin maksimal të mundësive që ofron kuadri ligjor për mënyrat e huamarrjes dhe përdorimin eficient të tyre.

Did you find this useful?