Njohuri

Investimet strategjike, stimul për thithjen e kapitalit 

Intervistë me Sabina Lalaj

Intervistë me Sabina Lalaj, Drejtuese e Departamentit Ligjor, Deloitte Albania publikuar në revistën e përjavshme Monitor

Çfarë parashikon, me dy fjalë, legjislacioni për investimet strategjike?

Legjislacioni për investimet strategjike, i përbërë nga ligji për investimet strategjike, si dhe një sërë vendimesh të Këshillit të Ministrave të miratuara, së fundmi, përfaqëson kuadrin rregullator krejtësisht të ri e posaçërisht të fokusuar në tërheqjen e investimeve të huaja, apo “zgjimit”, të kapitalit të vendas.

Paketa legjislative përcakton sektorët si dhe nënsektorët përkatës, të ekonomisë, të identifikuar strategjikë, si dhe parashikon procedurat e posaçme administrative favorizuese, lehtësuese ose përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve strategjikë.

Gjithashtu, vlen të theksohet se legjislacioni parashikon procedurat dhe rregullat për t’u zbatuar nga organet shtetërore për shqyrtimin, miratimin dhe mbështetjen e investimeve strategjike që realizohen në Shqipëri, si dhe shërbimet ndaj investitorit/projektit përkatës.

Cilët janë sektorët/nënsektorët me potencial investimesh strategjike? Cilat janë kriteret kryesore të përzgjedhjes së investitorëve përfitues?

Siç theksuam pak me lart, legjislacioni për investimet strategjike përcakton nominalisht sektorët dhe nën-sektorët përkatës ekonomikë, të identifikuar si strategjikë.

Të tillë konsiderohen sektori energjetik dhe minerar, si dhe nënsektorët përkatës, energjetik, hidrokarbur apo minerar; sektori i transportit, infrastrukturës e komunikimeve elektronike dhe mbetjet urbane, me nënsektorët e transportit detar, ajor, hekurudhor, të rrjeteve të transportit, komunikimeve elektronike, mbetjet urbane, si dhe ujësjellës-kanalizimeve; sektori i turizmit, me nënsektorin e strukturave turistike; sektori i bujqësisë dhe peshkimit, me nënsektorët e prodhimit bujqësor, infrastrukturës së blegtorisë dhe peshkimit; dhe sektori i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, me nënsektorin e parqeve industriale/teknologjike. Pra mund te themi se fokusi i legjislatorit ne ndërtimin e paketës legjislative ka qenë gjithëpërfshirës.

Kriteret kryesore për cilësimin e një investimi, në sektorët/nënsektorët e sipërpërmendur, si strategjik janë dy. Konkretisht, interesi publik që bart një investim, si dhe kriteri financiar.

Interesi publik në përzgjedhjen e një investimi strategjik vlerësohet, ndër të tjera, sipas vlerës së investimit, kohës së realizimit, produktivitetit dhe vlerës së shtuar të tij, hapjes së vendeve të reja të punës, zhvillimi ekonomik rajonal dhe lokal, ofrimit të teknologjive të reja për rritjen konkurrencën dhe efektivitetit të investimit, mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit, etj.

Kriteri financiar, sipas sektorit strategjik ku realizohet investimi, apo statusit të tij, varion nga një vlerë investimi e barabartë me, ose më e madhe se, 1 (një) milion euro deri në një vlerë të barabartë me, ose me e madhe se, 50 (pesëdhjetë) milionë euro. Gjithashtu, për investitorët e interesuar të investojnë në sektorë të ndryshëm nga ata të përmendur më lart, kapitali investues i projektit përkatës duhet të jetë i barabartë me, ose më i madh se 100 (njëqind) milion euro në mënyrë që të konsiderohet investim/investitor strategjik.

Cilët janë institucionet përgjegjëse dhe procedurat e përzgjedhjes së investitorëve/projekteve strategjike, si dhe dokumentacioni kryesor përkatës?

Institucionet kryesore përgjegjëse për vlerësimin, miratimin dhe asistimin e investimeve strategjike janë Komisioni i Investimeve Strategjike dhe Agjencia e Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve. Sigurisht, institucione të tjera, përfshihen në faza të ndryshme në vlerësimin apo asistimin e projekteve të investimeve strategjike, institucione të tilla si ministria përgjegjëse për ekonominë e ministritë e linjës, Autoriteti i Konkurrencës, njësitë përkatës të qeverisjes vendore, etj.

Nga pikëpamja procedurale hapi fillestar i rrugëtimit administrativ për vlerësimin e investimeve strategjike është aplikimi për përfitimin e statusit Projekt me Potencial Strategjik, i cili klasifikohet si i tillë që nga momenti i nismës për ta hartuar atë dhe është i vlefshëm deri në momentin e përfitimit të statusit Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Asistuar ose Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë.

Propozimi për miratimin e Projektit me Potencial Strategjik, i nënshtrohet disa filtrave që përfshijnë angazhimin e institucioneve kryesore të treguara më lart si dhe ministritë e linjës.

Investitori i interesuar për përfshirjen e projektit investues në procedurat administrative të investimeve strategjike, me qëllim marrjen e statusit “Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Asistuar, apo Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë”, në fazën e rrugëtimit administrativ duhet të depozitojë ndër të tjera, dhe planin e biznesit të investimit, planin e financimit të investimit dhe programin e punës për realizimin e projektit/investimit strategjik; vlerësimin e ndikimit social dhe ekonomik e strategjik të projektit, etj.

Dua të sjell në vëmendje të të interesuarve se është përcaktuar një afat për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”, dhe afati përfundimtar është data 31 dhjetor 2018.

Çfarë “privilegjesh” administrative dhe/ose materiale përfitojnë investitorët/projektet e përzgjedhur si strategjikë?

Besoj se kjo përgjigje kërkon pak më shumë thellim në mënyrë që ti japim lexuesit për aq sa na lejon kjo hapësirë, një pamje sa më të qartë. 

Nga pikëpamja administrative, investitorët që kanë përfituar statusin Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Asistuar, nëpërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, e cila shërben si “dritare unike” për të gjitha shërbimet ndaj investitorëve në fjalë. Nëpërmjet agjencisë mund të përfitojnë shërbime dhe lehtësi në 360 gradë, ndër të tjera, në lidhje me kryerjen e veprimeve përgatitore, përgatitjen e dokumenteve dhe aplikimit administrativ me procedurë të përshpejtuar; konsolidimin e tokës; mbështetjen me infrastrukturë ndihmëse, etj.

Në rastin e investitorëve që kanë përfituar statusin Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë, krahas shërbimeve dhe lehtësive të sipërpërmendura, ofrohen edhe shërbime shtesë që kanë të bëjnë me shpronësimin e pasurive të paluajtshme, pronë private, për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, si dhe miratimin, nga ana e Kuvendit, e kontratave përkatëse të investimit strategjik për të rritur sigurinë e marrëdhënies juridike midis investitorit dhe shtetit shqiptar.

Gjithashtu, me qëllim realizimin e projekteve që kanë përfituar statusin “Investim/investitor Strategjik, procedurë e asistuar/ e veçantë”, të cilat kanë nevojë të pajisjen me leje, licenca, autorizime apo miratime të ngjashme, Agjencia asiston investitorët strategjike gjatë këtyre procedurave, duke ndërmjetësuar në marrëdhëniet me organet shtetërore kompetente.

Nga pikëpamja materiale, legjislacioni për investimet strategjike parashikon krijimin e Fondit e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS), i cili përfshin pasuritë e paluajtshme shtetërore si objekte, troje, toka bujqësore, pyje, livadhe dhe kullota.

Gjithashtu, me propozim të Komisionit të Investimeve Strategjike, Këshilli i Ministrave mund të miratojë lejimin e përdorimit të detit, liqeneve, lumenjve dhe shtetërve të tyre, si dhe zonave përkatëse, në funksion të realizimit të një projekti investues strategjik.  

Më tej, investitorëve strategjikë iu ofrohet mundësia që të kërkojnë pjesëmarrjen e shtetit ne realizimin investimit përkatës strategjik. Shteti mund të marrë pjesë në një investim strategjik si bashkëzhvillues i tij, në cilësinë e ortakut/aksionarit të shoqërisë që do të realizojë investimin, duke kontribuar në para ose natyrë; si bashkëzhvillues i një zone territoriale të caktuar, në të cilën realizohen investime strategjike, duke marrë masa për zhvillimin e zonës nëpërmjet përmirësimit dhe zhvillimit të objekteve dhe infrastrukturave ekzistuese, ndërtimit të infrastrukturave të reja ose marrjes së masave të tjera mbështetëse; ose në forma të tjera bashkëpjesëmarrjeje, ku mund të përfshihen, por pa u kufizuar, vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme apo të luajtshme, e aseteve, makinerive, të drejtave apo lehtësive të ndryshme, dhënia e së drejtës për përdorimin e brigjeve, si dhe kombinime të tyre apo forma të tjera mbështetjeje.

Ju përmendët më sipër mundësinë e shpronësimit të pronarëve privatë për qëllime të realizimit të investimeve strategjike. Cilat janë hapat dhe procedurat që duhen ndjekur në këtë rast?

Po. Siç u tha më sipër, kjo mundësi iu ofrohet investorëve që kanë përfituar statusin “Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë”. Këta investitorë përpara se të kërkojnë shpronësimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, janë të detyruar të kryejnë dhe dokumentojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshje me këta pronarë.

Bëhet fjalë për një marrëveshje të posaçme, që propozohet nga investitori, për t’u lidhur me pronarët privatë, e cila ofron instrumente të përshtatëshme alternative dhe/ose kompensuese. Nëse realizimi i projektit strategjik është i pamundur të realizohet nëpërmjet instrumentave alternativë, atëherë investitori mund t’u ofrojë pronarëve marrëveshje për blerjen e pasurisë.

Në rastet kur investitori nuk ka mundur të arrijë marrëveshje me pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, dhe nëse ka dokumentuar kryerjen e të gjitha procedurave për arritjen e marrëveshjeve me pronarët, investitori strategjik mund të kërkojë shpronësimin, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga legjislacioni mbi shpronësimet.

Did you find this useful?