Njohuri

Ndryshimet në ligjin nr. 9920, datë 20.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar

Ndryshimet e prezantuara në ligjin nr. 99/2015, datë 23.09.2015, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 187, datë 28.10.2015, të cilat hyjnë në fuqi në datën 12 nëntor 2015, kanë për qëllim forcimin e parashikimeve ligjore kundër informalitetit tatimor.

‘Çertifikimi tatimor’ i pasqyrave financiare dhe deklaratave tatimore

Ky ndryshim prezanton konceptin e ‘çertifikimit tatimor’. Tatimpaguesit do të kenë mundësinë të kontraktojnë kompani të autorizuara auditimi që të ‘çertifikojnë si në përputhje me legjislacionin tatimor’ pasqyrat financiare dhe deklaratat e tyre tatimore. Fakti që një tatimpagues ka zgjedhur dhe ka marrë një çertifikatë të tillë do të merret në konsideratë në analizën e riskut që bën administrata tatimore për përzgjedhjen e tatimpaguesve për kontroll tatimor. 

Në rast se administrata tatimore rivlerëson detyrimet tatimore të një tatimpaguesi për një periudhë tatimore ‘të çertifikuar si në përputhje me legjislacionin tatimor’ nga një kompani auditimi e autorizuar, atëherë:

  • Tatimpaguesi do të jetë subjekt i shumës së plotë të detyrimeve tatimore shtesë (së bashku me interesat dhe gjobat përkatëse); ndërsa
  • Kompania e auditimit do të dënohet me gjobë në masën e detyrimit të tatimpaguesit.

Procedura, kriteret dhe lista e kompanive audituese të autorizuara do të përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave. 

Penalitetet për pagesë të vonuar të kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin

Këstet paraprake të tatimit mbi fitimin apo të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël do t’i nënshtrohen një gjobe fikse në masën 15%, në rast mospagimi brenda afateve të përcaktuara.  

Mos deklarimi i punonjësve dhe mos deklarimi i pagave reale

Tatimpaguesit do të dënohen me gjobë në masën 500,000 Lekë nëse verifikohet nga ana e autoriteteve tatimore një nga shkeljet e mëposhtme:

  • Mos deklarimi i një punonjësi të ri të paktën 1 ditë kalendarike përpara marrjes në punë; ose
  • Mos deklarimi i pagës reale dhe të plotë të punonjësve.

Kjo gjobë fikse do t’i shtohet detyrimeve tatimore përkatëse, penaliteteve dhe kamatëvonesave që do të llogariten nga data e konstatuar e fillimit të punës.

Tatimpaguesi që konstatohet të përsërisë shkeljen, pasi i është nënshtruar më parë një gjobe si më lart, do të konsiderohet se kryen evasion fiskal. Në të tilla raste administrata tatimore ushtron të drejtën për të bërë kallëzim penal kundër tatimpaguesit. 

Mallrat e pa shoqëruara me dokumenta tatimore

Tatimpaguesi me shumicë, i cili mban, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumenta tatimore, do të jetë subjekt i masave të mëposhtme:

  • Një gjobe fikse në masën 10,000,000 Lekë;
  • Konfiskimit të mallrave; dhe
  • Një rivlerësimi tatimor të të ardhurave për periudhën e fundit 6-mujore.

Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit të mallrave mund të zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe të barabartë me vlerën e tregut të të njejtëve mallra. 

Në rast se tatimpaguesi i është nënshtruar njëherë masave të mësipërme, çdo përsëritje e shkeljes do të konsiderohet evasion fiskal. Në të tilla raste, administrata tatimore ushtron të drejtën për të bërë kallëzim penal kundër tatimpaguesit.

Përjashtimisht, për të gjithë tatimpaguesit të cilët, me vullnetin e tyre, bëjnë vetëdeklarimin e mallit që kanë gjendje pa dokumenta tatimore, me anë të një fature të përgatitur nga blerësi brenda datës 31.12.2015 (dhe përpara se shkelja të identifikohet nga një kontroll tatimor), nuk do të zbatohen penalitetet e mësipërme. Procedura e vetëdeklarimit do të përcaktohet me udhëzim të Ministrit të Financave.

Adresat dytësore

Tatimpaguesit që do të konstatohen se kryejnë veprimtari në adresa të padeklaruara (për të cilat nuk kanë kryer përditësimin e të dhënave të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit), por mbajnë në ruajtje, përdorin apo transportojnë mallra të shoqëruara rregullisht me dokumente tatimore, dënohen me gjobë në masën 500,000 Lekë.

Ndalime të shitjes tek konsumatorët finalë nga shitësit me shumicë

Deri në datën 31.03.2016, shitësit me shumicë do të lejohen t’u shesin mallra individëve (jo-bizneseve) me kupona të rregullt tatimorë, me kushtin që shitjet të mos tejkalojnë 10% të vlerës së tatueshme (pa përfshirë TVSH-në) të mallrave të shitura në të njëjtin muaj gjatë vitit të kaluar. Duke filluar nga 01.04.2016, shitësit me shumicë nuk do të lejohen më të shesin mallra tek individët.

Deri më datë 31.03.2016, për shitjet që tejkalojnë ‘kufizimin mujor prej 10%’, sipas sqarimit në paragrafin më sipër, shitësit me shumicë do të jenë subjekt i një rivlerësimi tatimor për TVSH-në, bazuar në shumën e TVSH-së që i korrespondon çmimit të pakicës së mallrave të shitura. Përveç kësaj, shitësit me shumicë do të dënohen me një gjobë në masën 100% të vlerës së TVSH-së.

Duke nisur nga data 01.04.2016, shitësit me shumicë që kostatohen se shesin mallra tek individët, do të dënohen me gjobë në masën 100% të TVSH-së. 

Pajisjet fiskale, kuponat tatimorë, faturat tatimore, listat e çmimeve

Një sërë ndryshimesh janë bërë me qëllim forcimin e parashikimeve ligjore kundër evazionit dhe shmangies fiskale në ata sektorë dhe lloje aktivitetesh ekonomike për të cilat është i detyrueshëm instalimi i pajisjeve fiskale dhe lëshimi i kuponave tatimorë:

  • Është i ndaluar instalimi ose përdorimi i pajisjeve fiskale apo sistemeve të monitorimit të shitjeve të cilat janë të ndryshme nga ato të përshkruara në ligjet dhe aktet nënligjore të legjislacionit fiskal në fuqi. Mbajtja apo përdorimi i këtyre pajisjeve apo sistemeve dënohet me konfiskim të mallrave gjendje. Për më tepër, nëse konstaton këtë shkelje, administrata tatimore ushtron të drejtën e saj për të bërë kallëzim penal kundër tatimpaguesit.
  • Çdo individ apo biznes ka të drejtë të refuzojë të kryejë pagesën nëse shitësi nuk lëshon kupon tatimor në përputhje me parashikimet ligjore. Nga ana tjetër, të gjithë tatimpaguesit kanë detyrimin të vendosin në një vend të dukshëm në vendin ku ushtrojnë aktivitetin e tyre, njoftimin që blerësi ka të drejtë të refuzojë të kryejë pagesën për mallrat apo shërbimet e blera në rast se tatimpaguesi nuk lëshon kupon tatimor ose faturë tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi. Mosvendosja e këtij njoftimi në një vend të dukshëm, dënohet me gjobë në masën 500,000 Lekë.
  • Moslëshimi i faturës tatimore apo i kuponit tatimor do të dënohet me një gjobë në masën 100% të detyrimeve tatimore të padeklaruara ose të papaguara si rezultat i moslëshimit të faturës (përveç vetë detyrimeve tatimore dhe kamatëvonesave përkatëse). 
  • Përveç dënimit të mësipërm, (a) moslëshimi i kuponit tatimor nga të gjithë tatimpaguesit, dhe (b) moslëshimi i faturës tatimore nga ana e shitësve me shumicë, do të dënohen gjithashtu me një gjobë fikse prej, përkatësisht (a) 500,000 lekë dhe (b) 10,000,000 lekë, si dhe me ri-vlerësim tatimor të të ardhurave për 6 muajt e fundit. Rastet e përsëritura të shkeljeve do të konsiderohen evasion fiskal dhe do i japin administratës tatimore të drejtën për të bërë kallëzim penal kundër tatimpaguesit.
  • Mos publikimi në një vend të dukshëm i listës së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në vendin e ushtrimit të aktivitetit, dënohet me gjobë në masën 500,000 Lekë. 

Korrigjimi i deklaratës tatimore të plotësuar qëllimisht gabim

Për tatimpaguesit të cilët, me vullnetin e tyre, deklarojnë dhe korrigjojnë një deklaratë tatimore të plotësuar qëllimisht gabim si dhe paguajnë tatimin, gjobat dhe kamatvonesat përkatëse, administrata tatimore nuk do të bëjë kallëzim penal për evazion fiskal. Tatimpaguesit do të përfitojnë nga ky parashikim vetëm në rast se shkelja nuk është konstatuar më parë nga administrata tatimore.

Fshirja e disa detyrimeve tatimore të gjeneruara si pasojë e sistemit të ri të IT

Për shkak të implementimit të sistemit të ri të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, janë gjeneruar gabimisht disa detyrime tatimore për disa tatimpagues, për të cilat ata nuk kanë pasur përgjegjësi tatimore. Gjobat dhe interesat e gjeneruara për këtë shkak në sistemin e-tax deri në datën 31.08.2015, do të fshihen.

Mbledhja me forcë e detyrimeve tatimore

Si pjesë e procedurës së mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, administrata tatimore ka të drejtë të angazhojë personelin e saj për të verifikuar dhe monitoruar aktivitetin e një tatimpaguesi (në mjediset e veprimtarisë së tij) me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më të vogël se 50% e qarkullimit të realizuar për atë ditë, për llogari të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit.

Transferimet e shumave të parave nga llogaritë e tatimpaguesit, apo shitja/transferimi i aktiveve ose kapitalit të tij, do të ndalohen, me përjashtim të rasteve kur nëpërmjet tyre synohet shlyerja e detyrimeve tatimore të papaguara.

Njëkohësisht me procedurat e tjera për mbledhjen me forcë të detyrimit, administrata tatimore mund t’i kërkojë një pale të tretë që i detyrohet tatimpaguesit shuma të caktuara, që të kryejë pagesën e këtyre shumave drejtpërdrejtë për llogari të administratës tatimore brenda 30 ditëve kalendarike nga data e kërkesës.

Databaza e numrave IMEI të telefonave celularë

Në bazë të një Vendimi të pritshëm të Këshillit të Ministrave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të krijojë regjistrin e numrave IMEI të telefonisë celulare. Deri në 1 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij Vendimit, importuesit dhe shitësit e telefonave celularë duhet të deklarojnë dhe të regjistrojnë numrat IMEI për të gjithë telefonat celularë që ata kanë gjendje. Në vijim, ata duhet të regjistrojnë rregullisht të gjithë numrat IMEI të telefonave celularë të importuar apo shitur. 

Mos regjistrimi apo regjistrimi gabim i numrave IMEI dënohet me gjobë në masën 30,000 Lekë për çdo rast. 

Detyrimet tatimore vendore për tatimpaguesit që e ushtrojnë aktivitetin nëpërmjet ndërmjetësve

Tatimpaguesit që e ushtrojnë aktivitetin nëpëmjet ndërmjetësve (të cilët, përveç rolit të ndërmjetësit, ushtrojnë edhe aktivitet të pavarur ekonomik në adresat e tyre), nuk paguajnë detyrimet tatimore vendore për sa kohë që ndërmjetësit i shlyejnë taksat vendore të zbatueshme mbi adresat e regjistruara të biznesit të tyre.

Konflikti i interesit

Nëpunësit e autoriteteve tatimore qëndrore apo vendore do të ndalohen të kenë të regjistruar zyra kontabiliteti ose konsulencash fiskale në pronësi të tyre apo të anëtarëve të familjes së tyre. Në raste të konstatimit të konfliktit të interesit, ndaj nëpunësit do të merret masa e largimit nga puna pa të drejtë ri-punësimi në administratën tatimore. 

Did you find this useful?